“Akte dhune” në ndeshjen kundër Tiranës, vjen dënimi i FSHF për Vllazninë

Vllaznia do të luajë katër ndeshjet e ardhshme në shtëpi pa tifozët e saj. Ky është dënimi që Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit i ka dhënë klubit shkodran pas asaj që ndodhi fundjavën e kaluar në ndeshjen kundër Tiranës në “Loro Boriçi”.

Megjithatë, klubi kuqeblu do të zhvillojë vetëm dy ndeshje pa tifozë, me kusht që skena të tilla të mos përsëriten brenda një periudhe 6-mujore.

“KF “Vllaznia”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke shkaktuar akte dhune dhe ndërprerje të përkohshme të lojës, në bazë të Nenit 65/3 dhe Nenit 65/4/b të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshja pa tifozë në fushën përkatëse. Në zbatim të Nenit 32/3 të KDS, urdhërohet pezullimi i zbatimit të dënimit për ½ e dënimit me kusht për një periudhë 6-mujore”

Vendimi i Komisionit të Disiplinës.

Në minutat e fundit të ndeshjes Vllaznia-Tirana, përballje që u fitua nga bardheblutë 2-0, tifozëria e zhgënjyer shkodrane hodhi shishe të shumta në fushë. Arbitri Enea Jorgji u detyrua ta ndërpriste ndeshjen për disa minuta, derisa gjakrat u qetësuan.

Gjatë mbledhjes së të mërkurës, Komisioni i Disiplinës vendosi të dënojë me dy ndeshje pezullin lojtarin e Kukësit Olsi Teqja, “për publikimin e deklaratave kundër interesave të FSHF, në bazë të Nenit 10/1/d. të Statutit të FSHF dhe Nenit 18 të KDS, dënohet me pezullim nga 2 (dy) ndeshje prej aktivitetet futbollistike”.

Shkarkoni aplikacionin e A2