Basha takon zyrtarin e DASH: Fund pandëshkueshmërisë së politikanëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas takimit me aleaten më të madhe të tij, Monika Kryemadhi ka pritur në selinë e PD, pasditen e së mërkurës dhe drejtorin për Evropën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit, David Kostelancik.

Lideri demokrat e vlerësoi si shumë konstruktiv takimin me zyrtarin e lartë amerikan duke shtuar se bisedoi me të për dhënien fund të pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe rikthimin e sundimit të ligjit.

“Diskutim shumë i hapur dhe konstruktiv me David Kostelancik, Drejtori i ri i Zyrës së Europës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit. Në fokus, fund pandëshkueshmërisë së politikanëve, rikthimi i Sundimit të Ligjit, dhe fund kapjes së shtetit dhe korrupsionit dhe forcimi i partneritetit strategjik të Shqipërisë me SHBA”, shkruan Lulzim Basha në rrjetet sociale.

Më herët, zyrtari amerikan David Kostelancik takoi kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Shkarkoni aplikacionin e A2