Deputeti i Bundestagut: Kufijtë nuk ndryshojnë, liberalizimi ndoshta në dhjetor

Gjermania është kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës në kuadër të një marrëveshje të mundshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Këtë e tha deputeti i Bundestagut nga radhët e CDU-së në pushtet, Peter Beyer, i cili pas ndalesës në Beograd zhvilloi një vizitë në Prishtinë. Ligjvënësi gjerman i bëri thirrje 5 shteteve të BE që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë sa më parë.

“Kosova duhet t’i ruajë kufijtë që ka. Është vërtet e dëmshme, që jo të gjitha shtetet evropiane e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, prandaj në këtë kuadër u bëj thirrje 5 vendeve anëtare të BE-së që ta njohin Kosovën. Një ditë më parë isha në Beograd ku bëra ftesë edhe atje për të rifilluar dialogun me Prishtinën. Gjermania është e gatshme ashtu sikurse në të kaluarën që ta mbështes Kosovën”, deklaroi Beyer.

Vizita në Kosovë e Beyer, i cili u takua më kryeministrin e dorëhequr Ramush Haradinaj, shihet si një sinjal pozitiv që Gjermania mund të japë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Deputeti tha se nuk mund të japë data, por, kjo mund të ndodhë edhe para Krishtlindjeve. “Gjermania është një shtet mbështetës për integrimin e Kosovës dhe liberalizimin e vizave. Nuk është e drejtë që Kosova të jetë i vetmi vend në Evropë që nuk ka liberalizim të vizave. Unë nuk do ta jap datën, por ndoshta do të jetë shpërblim për Krishtlindje”.

Deputeti i Bundestagut gjerman, përsëriti në Prishtinë deklaratën e disa javëve më parë të kancelares Angela Merkel se “Bashkimi Evropian nuk ka të ardhme pa integrimin e Ballkanit Perëndimor’.

Shkarkoni aplikacionin e A2