Largimi i Gjiknurit nga Komisioni i Reformës Zgjedhore, Hyseni: Kërkesë nonsens nga opozita

Alket Hyseni, deputeti i Partisë Socialiste, deklaroi në studion e Ditari në A2 se kërkesa e opozitës parlamentare për largimin e Damian Gjiknurit nga bashkëkryesimi i Komisionit të Reformës Zgjedhore është nonsens.

“Më duket nonsens sepse nuk ka të bëjë fare me thelbin e reformës. Rëndësi ka që ka vullnet edhe nga grupet parlamentare të opozitës për reformën”, u shpreh deputeti socialist.

Në lidhje me rastet Pjetri dhe Kajmaku, Hyseni deklaroi se “Partia Socialiste nuk mban përgjegjësi për përgjegjësitë personale të personave, të cilët edhe pasi kanë kaluar një sërë filtrash, kanë rezultuar të pastër”.

“Ky është fenomen më i gjerë që kërkon adresim dhe ne po punojmë për këtë, për të gjetur mekanizma më të fortë filtrimi. Kemi qenë forca e parë që ka vendosur filtra për kandidaturat tona në statut”, tha Hyseni.

Deputeti shtoi se “nëse ne do të ndalojmë sa herë që ka lehaqenie në rrugën tonë, ne nuk do të shkojmë kurrë në destinacion”.

“Gjatë rrugës mund të bëjmë edhe gabime, por përmirësohemi dhe shkojmë në destinacion”, theksoi Hyseni.

Shkarkoni aplikacionin e A2