Pesticidet, Manastirliu: Ndryshim ligjit të barnave së bashku me Ministrinë e Bujqësisë

Ndërsa futja në treg e një insekticidi mund t’i  kushtojë ish ministrit Peleshi hetimin për shpërdorim detyre, ministrja e Shëndetësisë Manastirliu flet për ndryshime në ligjin e barnave së bashku me Ministrinë e Bujqësisë të cilës i takon pjesa e pesticideve.

“Ministria e Bujqësisë është institucioni përgjegjës, por ne do futemi bashkë me atë ministri në një proces ku do të kemi një sistemim në ligjin e barnave dhe atyre substancave që prodhohen ose importohen”, tha ajo.   

Por a është realisht “Silicon Mix”, insekticidi që vuri në lëvizje Arta Markun për të kërkuar hetimin e ish numrit 2 të qeverisë,  i dëmshëm për shëndetin?

Shefi i pavijonit të sëmundjeve infektive në QSUT Pëllumb Pipero ka zhvilluar një hulumtim.

“Së paku unë, nuk gjeta referenca bindëse, e mbi të gjitha statistikisht të besueshme për dëmin potencial të këtij insekticidi në shëndetin e qytetarëve, për më tepër në dëmtimin potencial të ADN-së dhe çrregullimet madhore që mund të vinë si pasojë e saj. Nuk duhet të përhapim panik te konsumatorët, aq me tepër kur bëhet fjalë për ushqimet e përditshme, pa pasur referenca dhe rezultate statistikisht të provuara”, gjykon Pipero.

Teksa ministrja e Shëndetësisë raportonte në komisionin e ligjeve deputetët i përmendën asaj ekzistencën e mafies në tregun e barnave. Por ministrja i adresoi në organin e akuzës.

“Të çohen në prokurori, kam detyrë që nëpërmjet akteve që ministria ndërmerr të siguroj shëndetin e popullatës nëpërmjet kontrollit të cilësisë së barnave që tregtohen në Shqipëri”, tha ministrja.

Shkarkoni aplikacionin e A2