Raporti i OSBE/ODIHR, Bardhi: I vuri vulën paligjshmërisë së 30 qershorit – A2

Raporti i OSBE/ODIHR, Bardhi: I vuri vulën paligjshmërisë së 30 qershorit

Partia Demokratike ka reaguar menjëherë përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi për përfundimet e nxjerra në raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Sipas Bardhit, raporti i ODIHR konfirmoi se votimet moniste të 30 qershorit nuk përfaqësuan interesin e qytetarëve dhe se Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Raporti i ODIHR është konfirmim se Shqipëria ka nevojë jetike për zgjedhje të lira e të ndershme. Më shumë se një ligj, një vendim, një rregullore, zgjedhjet demokratike janë vullnet politik. Konfirmimi nga ODIHR se votimet moniste dhe antikushtetuese të 30 Qershorit nuk morën në konsideratë interesin e qytetarëve shqiptarë është vlerësim që ndihmon forcimin e demokracisë funksionale në Shqipëri”, deklaroi Bardhi.

Më tej, sekretari i PD shton se raporti i ODIHR i vuri vulën paligjshmërisë së zgjedhjeve të 30 qershorit me konstatimet se KQZ dhe Kolegji Zgjedhor shkelën ligjin.

“Me konstatimet se votuesit nuk patën mundësi të zgjidhnin, se KQZ dhe Kolegji Zgjedhor shkelën ligjin dhe nuk vepruan në pavarësi, se u shkatërrua besimi i publikut në legjitimitetin e zgjedhjeve, se administratat zgjedhore cënoi besimin e publikut. ODIHR i vuri vulën paligjshmërisë së 30 Qershorit”, shtoi Gazment Bardhin.

Në fund sekretari i Partisë Demokratike shprehu mirënjohjen për ekspertët e OSBE-ODIHR në atë që ai e cilësoi si një kontribut për forcimin e demokracisë funksionale në Shqipëri.

Shkarkoni aplikacionin e A2