“Shpërdorim detyre”, Prokuroria verifikon 3 eksponentë të mazhorancës

Prokuroria e Tiranës ka nisur një verifikim hetimor për tre emra të njohur të mazhorancës socialiste, me akuzën “shpërdorim detyre”.

Bëhet fjalë për ish-ministrin e Bujqësisë, Niko Peleshin, ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe zv/kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku. Ndërkohë që Peleshi dyshohet se ka lejuar futjen në vend të një insekticidi të rrezikshëm, të quajtur “Silicon-Mix”, dy socialistët e tjerë dyshohen për abuzime me shpenzimet gjatë udhëtimeve jashtë vendit.

Për këto shpenzime, Gjonaj dhe Mazniku kanë qenë gjithashtu nën sulmin e opozitës, e cila ka akuzuar vazhdimisht organin e Akuzës se nuk po vepron, duke mbrojtur politikisht eksponentët e mazhorancës.

Gjonaj është ministre e Qeverisë Rama. Peleshi është anëtar i Kryesisë socialiste, ndërsa Mazniku është një nga strategët e fushatave të PS-së, si dhe njeri i besuar i kryebashkiakut Veliaj.

Mbetet për t’u parë nëse hedhja në veprim e Prokurorisë është vetëm një show, siç shpesh e akuzon opozita. Por nëse verifikimi hetimor do të prodhojë rezultate, kjo do të jetë një tjetër goditje për imazhin e Kryeministrit dhe mazhorancës socialiste.

Shkarkoni aplikacionin e A2