Basha: Platformë për nxjerrjen e vendit nga kriza, nuk ka datë për protesta – A2

Basha: Platformë për nxjerrjen e vendit nga kriza, nuk ka datë për protesta

Pas takimit të një dite më parë me aleaten më të madhe Monika Kryemadhi, kreu i PD, Lulzim Basha zhvilloi një takim dhe me aleatët e vegjël të opozitës së bashkuar.

Lideri i demokratëve ka diskutuar me krerët e partive të vogla për vijimin e aksionit opozitar dhe gatishmërinë e opozitës për të ofruar një platformë kombëtare për të nxjerrë vendin nga kriza. Basha tha se është diskutuar dhe për vijimin e protestave, por ende nuk kanë një datë të caktuar.

“Jemi gati të ofrojmë një platformë kombëtare për nxjerrjen e vendit nga kriza. Gjendja është shumë e rëndë. Largimi i Ramës nuk mjafton. Duhen ndryshime të thella politike në reformën zgjedhore. Këtë produkt do ta bëjmë publik në vijim. Kemi diskutuar edhe për aksionin opozitar. Kemi diskutuar për datë protestash, por iu garantoj sa të kemi datë do ta shpallim”, u shpreh Basha para gazetarëve.

Më tej, kreu i Selisë Blu shtoi se prioritet i opozitës është vendosja e demokracisë dhe legjitimitetit të institucioneve. Sipas tij, PS duhet të mbajë përgjegjësi për situatën ku e ka çuar vendin.

“Raporti ODIHR tregon se institucionet kanë marrë fund. Jemi para një momenti kyç. Këshilli Europian do gjykojë sërish për negociatat. Të gjithë e kanë kuptuar se negociatat nuk hapen. Ky është momenti që secili të marrë përgjegjësitë e veta”, deklaroi pas takimit me aleatët Basha.

Shkarkoni aplikacionin e A2