A vuajmë nga depresioni? 1 në 4 persona të rrezikuar, pacientë dhe adoleshentët

Nëse mendoni se jeni imun ndaj depresionit, gaboheni!  1 në 4 persona është i rrezikuar të preket nga sëmundjet e shëndetit mendor.  Ashtu si në gjithë botën edhe në Shqipëri, mjekët po përballen me rritje të rasteve me depresion. Madje një pjesë e pacientëve që iu drejtohen urgjencave për sëmundje të ndryshme, rezultojnë se nuk kanë dhimbje fizike, por crregullime mendore.

“Në botë, 1 në 4 persona mund të shfaqin gjatë jetës së tyre problem të shëndetit mendor. Pacientët që mund të paraqiten në urgjencat mjekësore, nga 5 pacientë, 2 prej tyre mund të rezultojnë që të kenë problem të karakterit psikologjik. Pas ekzaminimeve të hollësishme që kryhen, rezulton se ata nuk kanë probleme, pra trupi i tyre nuk është i sëmurë, por shqetësimet janë të karakterit psiko-fiziologjik. Asnjë nuk është i imunizuar nga depresioni, të gjithë”, shpjegon mjekja Irena Thoma.

Mjekja Irena Thoma tregon se vitet e fundit psikiatrit po përballen me depresionin te moshat e reja. Drogat dhe alkooli janë shkaktarët kryesorë që po çojnë rininë në pavionet e spitalit psikiatrik.

“Ka një rritje të numri të të rinjve për shkak të abuzimit me drogat dhe alkoolin dhe lëndë të tjera që shkaktojnë problem të shëndetit mendor. Kemi parë pacientë që kanë filluar përdorimin e hashashit që në moshën 13 vjeçare. Dhe pa diskutim që kanë ndryshim në sjellje”, tha Irena Thoma.

Faktorët që shkaktojnë depresionin janë të shumtë, por mosmenaxhimi i stresit dhe i situatave të ndryshme janë shkaktarët kryesorë për shfaqjen e sëmundjeve mendore. Por si fillon depresioni sipas mjekëve?

“Ai fillon duke mos qenë i aftë për t’u përshtatur në shoqëri, për të mos realizuar detyrat e tij të përditshme, detyrimet dhe përgjegjësit e tij të përditshme. Momenti kur shfaqen situate të tilla, atëherë duhet kuptuar që ka diçka që po çedon në shëndetin mendor”, shtoi mjekja.

Depresioni dhe disa sëmundje të tjera të shëndetit mendor janë të kurueshme. Mjekët bëjnë apel për kapjen në kohë dhe trajtimin nga specialisti, në të kundërt kthimi në normalitet është thuajse i pamundur.

Shkarkoni aplikacionin e A2