Gjoni: Sistemi zgjedhor do të ndryshojë, do apo nuk do mazhoranca

Deputeti Ralf Gjoni, nga grupi parlamentar i pavarur, ka komentuar në studion e Ditari në A2 aktualitetin politik në vend.

Gjoni theksoi fillimisht se raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 30 Qershorit “është një lexim i drejtë i situates”, pasi, sipas tij, “nuk ka nevojë as të jesh deputet dhe as ndërkombëtar që të dish se në çfarë bataku ka rënë Shqipëria”.

“OSBE thjesht raporton dhe raportimi tregon se këtu ka probleme serioze me zgjedhjet. Prandaj beteja jonë ka qenë sistemi zgjedhor. PS nuk ka dëshirë që të ndryshojë sistemin, as PD-ja. Së bashku ata gatuan masakrën në vitin 2008, prej të cilës jemi këtu sot. Por, ky sistem me lista të mbyllura, ku qytetari nuk e di se cili është deputeti i tij në Parlament, do të ndryshojë, do apo nuk do mazhoranca. Sepse ka disa prioritete që janë vënë nga partnerët tanë perëndimore. Edhe Reformën në Drejtësi nuk e donin, por në 2020 do të zgjohen me SPAK dhe BKH. E dyta është Reforma Zgjedhore, pasi ka disa muaj që po marrim mbështetje amerikane përsa i përket angazhimit tonë parlamentar përsa i përket kësaj reforme”, tha Gjoni.

Deputeti i pavarur shtoi se “mazhoranca shpreson në rikthimin e PD-së në Parlament për të ruajtur “status quo”-në dhe për të ruajtur sistemin e vjetër”.

“Por, unë garantoj se sistemi i vjetër nuk do të ruhet. Shqipërisë i duhet një sistem i ri zgjedhor që i hap rrugën forcave të reja politike, pasi ka të rinj që janë më të aftë sesa këta që kanë sot pushtet”, theksoi Gjoni.

Shkarkoni aplikacionin e A2