Merr fund legjenda në Lock Ness? Për shkencëtarët “Nessie” mund të ketë qenë një…ngjalë – A2

Merr fund legjenda në Lock Ness? Për shkencëtarët “Nessie” mund të ketë qenë një…ngjalë

Për dekada ka qenë legjenda më e famshme e Skocisë (si dhe një mjet marketingu shumë i fuqishëm), por sipas një studimi të Universitetit të Otagos, në Zelandën e Re,  dyshimeve edhe pse të vogla që ndoshta në thellësitë e liqenit të Loch Ness  mund të fshihej një krijesë prehistorike, duhet t’i vijë fundi.

Nga studimi i universitetit të Otago, në liqen ka shumë…ngjala

Studimi ka analizuar rreth 250 kampionë uji, në thellësi dhe në skajet e liqenit me sipërfaqe 56 kilometra katrorë.  Studiuesit kanë analizuar dna-në e gjetjeve, që kanë bërë të mundur identifikimin e pothuajse 3 mijë specie.  Por asnjë gjurmë e “Nessie”, siç quhet me përkëdheli krijesa mitike. Të vetmet specie që mund të kujtojnë krijesën, janë ngjalat e shumta, dhe ka gjasa që ndonjë ekzemplar i madh mund të ketë frikësuar ndonjë vizitues.  

“Nuk kemi gjetur prova as minimalisht të përafërta me ndonjë krijesë e afërt me plesiosaurin, reptili  i asociuar me monstrën e Loch Ness”, deklaroi Neil Gemmell, gjenetisti në krye të projektit hulumtues.

Edhe pse legjenda buron nga tregime të kohës mesjetare, “Nessie” bëhet i famshëm ndërkombëtarisht pas një foto të shkrepur në vitin 1934, që tregon, edhe pse jo qartësisht, konturet e një krijese që zyrtarisht është zhdukur miliona vite më parë.

Fotografia e famshme e “Nessie”, që rezultoi fallco

Ajo fotografi disa vite më parë u zbulua si  e rreme nga vetë autori, që kishte përdorur një nëndetëse lodër artizanale, por ndër dekada dëshmi të panumërta kanë kontribuuar në krijimin e një miti që ka patur në zonat veriore të Skocisë edhe një impakt konkret, me qindra aktivitete të hapura për të përballuar dhjetëra mijëra turistët që çdo vit shpresojnë të kenë fatin për të shkrepur një fotografi të Nessie.

Shkarkoni aplikacionin e A2