Ndërtimet pa leje, nis aksioni i prishjes në bregdetin e jugut të vendit

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë vijës bregdetare në jug të vendit. Aksioni ka nisur këtë të premte, nga vendi i quajtur Uji i Ftohtë pranë tunelit në Vlorë për të vijuar deri në Orikum.

Gjatë kësaj hapësire, janë identifikuar rreth 60 objekte, kryesisht bare dhe plazhe, qe janë gjetur me mangësi dokumentacioni, ose pa leje. Prishjes do t’i nënshtrohen edhe objektet qe janë në proces legalizimi. Segmenti nga tuneli Vlorë, deri në Orikum është edhe pjesë e planit për zgjatimin e Lungomares nga Uji i Ftohtë Vlorë në drejtim të Radhimës.

IKMT ka kërkuar bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e qytetarëve për këtë aksion, pasi sipas saj, operacioni do të vijojë pa asnjë mëdyshje në mbrojtje të së drejtës së shumicës së qytetarëve që kërkojnë lirimin e hapësirave publike. Në ditën e parë të aksionit, inspektorët nuk kane hasur në rezistencë apo kundërshti nga përdoruesit e objekteve që kanë nisur të prishen.

Shkarkoni aplikacionin e A2