Senatorët amerikanë: Kosova dhe Serbia duhet të sakrifikojnë

Dy ditë pas vizitës në Prishtinë, dy senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Ron Johnson u zhvendosën në Beograd, ku në një konferencë të përbashkët me Aleksandër Vuçiç, u shprehën se Kosova dhe Serbia duhet të sakrifikojnë dhe të bëjnë kompromise për të rifilluar bisedimet.

“Në duam të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbështetur të dy vendet në bisedimet e tyre në të cilat duhet të marrin dhe të japin”, tha senatori Johnosn duke nënvizuar se kur të arrihet marrëveshja përfitimet për të dyja palët do të jenë shumë të mira.

“Duhen sakrifica dhe kompromise në të dyja anët. Shpresojmë që pas zgjedhjeve në Kosovë, do të ndërmerren hapat e domosdoshëm për të rifilluar bisedimet”, tha ndërkaq senatori Murphy, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë palët qoftë me këshilla gjatë procesit, qoftë duke i mbështetur ato pas arritjes së marrëveshjes. Ai tha se palët duhet të kenë hapësirën e mjaftueshme për të arritur një marrëveshje të pranueshme për to.

Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit të kaluar kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se Beogradi pret heqjen e taksës dhe kërkon një marrëveshje kompromisi. “Nëse nuk ka një zgjidhje kompromisi, ne nuk mund ta njohim pavarësinë e Kosovës. Dhe, këtu nuk ka filozofi të madhe”, tha ai.

Shkarkoni aplikacionin e A2