Dy vjet pa humbje, Kosova fiton dhe ndaj Çekisë

Kosova nuk ka të ndalur. “Dardanët” vijojnë serinë e rezultateve pozitive, kësaj radhe në eliminatoret për Euro 2020 ku fituan ndaj Çekisë me rezultatin e ngushtë 2-1. Në një “Fadil Vokrri” të mbushur plot, verdheblutë morën një 3 pikësh mjaft të rëndësishëm në garën kualifikuese për Europianin e vitit të ardhshëm.

Fillimi i ndeshjes e kapi në befasi Kosovën, me miqtë që kaluan në avantazh të parët me Schick në minutën 16, por ky avantazh zgjati shumë pak. Pas një superaksion në krahun e majtë, Kosova vendase barazoi shifrat me gjigantin e sulmit Vedat Muriqi në minutën e 20. Pjesa e parë e takimit u mbyll në barazim 1-1.

Me fillimin e pjesës së dytë, ekipi i Challendes tregoi se ishte i etur për fitore dhe ajo erdhi pikërisht në minutën e 67 të takimit pas një krosimi të zgjuar të Berishës në zonë dhe goditjes së saktë të mbrojtësit Vojvoda.

Kosova u tërhoq në mbrojtje në minutat e mbetura të takimit dhe çekët tentuan disa herë të barazonin rezultatin, por pa sukses. Ndeshja u mbyll me rezultatin 2-1 në favor të “Dardanëve”, të cilët momentalisht ndodhen në vendin e parë të grupit A me 8 pikë të grumbulluara.

Shkarkoni aplikacionin e A2