“Kuqezinjtë” të pafuqishëm përballë Kampionëve të Botës

Ka përfunduar me rezultatin 4-1 ndeshja eliminatore mes Francës dhe Shqipërisë që u zhvillua në stadiumin “Stade dë France” në Paris.

Djemtë kuqezinj kanë zhvilluar një ndeshje shumë të dobët përballë “Gjelave” të Francës që pothuajse nuk u lodhën në këtë takim. Megjithëse me mungesa të shumta, ekipi francez kaloi në avantazh që në minutën e 8 të takimit me Coman. Mbrojtja shqiptare ishte pothuajse inekzistente dhe pas 19 minutash “Les Bleus” dyfishuan rezultatin me Giroud. Pjesa e parë mund të mbyllej me rezultat edhe më të thellë, por fatmirësisht sulmuesi i Barcelonës, Antoine Griezmann gaboi nga pika e penalltisë.

As në pjesën e dytë nuk pati një reagim nga kombëtarja jonë, e cila gabonte shumë në pasime dhe ishte e pafuqishme dhe në daljen nga gjysmëfusha e saj. Në minutën e 68 të takimit Coman shënoi dhe golin e tretë dhe të dytin personal duke përfituar sërish nga një gabim i mbrojtjes. Në minutën e 85 Franca shënoi dhe golin e katërt me Ikone.

Më pas “Gjelat” lanë më shumë hapësira dhe djemtë tanë arritën të fitojnë një penallti në minutën e 90 me Cikalleshin, e cila u shndërrua në gol nga vetë ai.

Pas kësaj ndeshje Shqipëria renditet në vendin e katërt të Grupit H me 6 pikë pas 5 ndeshjeve të luajtura. Në vendin e parë është Franca me 12 pikë e ndjekur nga Turqia dhe Islanda me po aq. Në takimet e tjera të grupit Turqia fitoi ndaj Andorrës 1-0, ndërsa Islanda mundi Moldavinë 3-0.

Para fillimit të takimit u shënua dhe një incident i pakëndshëm ku organizatorët e ndeshjes e ngatërruan himnin e Shqipërisë me atë të Andorrës. Ndeshja nuk filloi deri në intonimin e himnit kuqezi.

Shkarkoni aplikacionin e A2