Mashtruan me TVSH-në, Gjykata jep masën e sigurisë për 15 biznesmenët – A2

Mashtruan me TVSH-në, Gjykata jep masën e sigurisë për 15 biznesmenët

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë për 15 biznesmenët dhe administratorët e firmave të akuzuar për mashtrim me skemën e TVSH.

Gjykata ka vendosur të lerë në burg me afat 20 ditë të 6 nga të akuzuarit dhe pikërisht  Vasil Koritën, Besnik Pelivanin, Vangjush Mbriçin, Mhill Ndrecën, Ardian Bejkon, Fatmir Firin, ndërsa për 9 të akuzuarit e tjerë Haxhi Sala, Ilia Dimo, Shkëlqim Prodani, Shpresa Joanidhi, Paqësor Buzi, Astrit Lala, Rabi Kurti, Riza Roshi dhe Rrapo Baduni trupi gjykues dha masën e sigurisë arrest shtëpie.

15 biznesmenët u arrestuan vetëm dy ditë më parë, nën akuzën se kanë krijuar një skemë mashtrimi me TVSH me anë të së cilës i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej më shumë se 4 milionë eurosh.

Ndërkohë gjatë ditës së shtunë, në kuadër të operacionit “Informalitetit” është arrestuar dhe Drilon Bareti, i dyshuar si koka e kësaj skeme mashtrimi. Në deklaratën e tij para policisë, e cila u lexua nga prokurorja e çështjes Elisabeta Imeraj, Bareti mohoi këto akuza të ngritura ndaj tij.

Seanca për dhënien e masave të sigurisë zgjati për më shumë se 6 orë e gjysmë. Në fillim prokurorja kërkoi arrest me burg për 14 nga 15 të dyshuarit, por pasi u njoh me argumentat e paraqitura prokuroria ndryshoi qëndrim dhe u tërhoq nga kërkesa për 7 nga të dyshuarit duke iu lënë atyre kohë për të vërtetuar pretendimet e tyre.

Shkarkoni aplikacionin e A2