PD, letër Prokurorisë për Kajmakun: T’i ndërpritet mandati

Përmes një letre zyrtare, ku është vënë në dijeni edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme dokumentacionin e plotë për çështjen e verifikimit të Agim Kajmakut, kreut të Bashkisë Vorë, i cili sipas PD është i arrestuar dhe i kërkuar në Greqi, me emrin Jorgo Toto, për një krim që dënohet me 10 vite burgim. PD i kërkoi Prokurorisë përgjigje zyrtare mbi argumentet për mos dhënien e shenjave të gishtërinjve nga ana e Kajmakut, pasi sipas ligjit, refuzimi çon në ndërprerjen e menjëhershme të mandatit.

Letra e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, vjen pas shpjegimit të Prokurorisë, e cila përmes një njoftimi zyrtar shpjegonte se Agim Kajmaku nuk ka dorëzuar akoma gjurmët e gishtërinjve, sepse, siç u shpreh Prokuroria, “shërbimi postar ka ngatërruar adresën e tij dhe ende nuk ka dorëzuar shkresën”.

Sipas PD, ky pretendim nuk është i vërtetë, pasi Posta Shqiptare konfirmoi se dokumenti i Prokurorisë është dorëzuar në Bashkinë Vorë, aty ku Kajmaku ushtron detyrën.

“Duke iu referuar përgjigjes së Postës, Partia Demokratike thotë se nuk ka asnjë dyshim që shtetasi Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin zyrtar për dorëzimin e gjurmëve daktiloskopike më datë 29 gusht dhe sipas nenit 8 të ligjit të dekriminalizimit, duhet të kishte përmbushur detyrimin e tij deri në datën 3 Shtator 2019. Çuditërisht, nga ana juaj më datë 4 shtator thuhet se subjekti nuk e ka marrë ende shkresën. Ky në fakt duket më shumë si justifikim i paligjshëm nga ana e organit të Prokurorisë për të mos zbatuar sanksionin që parashikon ligji në rast se subjekti nuk dorëzon gjurmët daktiloskopike”

Letra e PD drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme
Shkarkoni aplikacionin e A2