Dekriminalizimi, Halimi: Ligji, shumë i mirë; Balla: Duhen ndryshuar afatet kohore për verifikim – A2

Dekriminalizimi, Halimi: Ligji, shumë i mirë; Balla: Duhen ndryshuar afatet kohore për verifikim

Fshehja e të dhënave në formularin e dekriminalizimit nga kryeashkiaku i dorëhequr i Shkodrës, Valdrin Pjetri, pritet të sjellë ndryshime në këtë ligj të posaçëm.

Për ish-deputetin Eduard Halimi, i cili ka qenë pjese e Komisionit për Dekriminalizimin, ligji është shumë i mirë, por nuk zbatohet: “Ashpërsimi i masave si recetë ndodh kur jepen dënimet dhe ato janë të ulëta. Unë nuk shoh që fajin e ka ligji, por aktorët që merren me zbatimin e ligjit. Duhet të ketë dënime siç i parashikon ligji dhe nëse ato quhen të ulëta, atëherë mund të ashpërsohet. Ne nuk kemi dënime sipas ligjit për momentin”.

Mazhoranca nuk do të rrijë duarkryq teksa sheh që nga radhët e saj dorëhiqen zyrtarë që zbulohen me rekorde kriminale. Në një intervistë për A2, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla sheh domosdoshmërinë e ndërhyrjes në ligj për shkak të afateve të shkurtra kohore.

“Nuk ka asnjë kandidat që nuk ka plotësuar formularin e dekriminalizimit. Koha është shumë e shkurtër që përpara ditës së zgjedhjeve të verifikohen edhe më mirë”, tha Balla.

Por, a ka marrë masa Partia Socialiste për të verifikuar formularët e kryebashkiakëve të tjerë të dalë nga 30 Qershori, në kohën kur PD-ja ka paralajmëruar se lista pas Pjetrit në Shkodër dhe Kajmakut në Vorë, vijon?

“Verifikimet i bën Prokuroria e Përgjithshme. Formularët e dekriminalizimit janë dokument që kush nuk ka deklaruar, humbet mandatin që ka fituar”, tha Balla.

Ish-ministri i Drejtësisë, Halimi, problemin e sheh te mungesa e ndëshkimit. Dekriminalizimi u miratua me votat e mazhorancës dhe opozitës në dhjetorin e 2015, pas gati një viti debatesh për përmbajtjen e tij. 

Shkarkoni aplikacionin e A2