Gert Bogdani dorëhiqet nga detyra e Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PD

Gert Bogdani nuk do të mbajë më postin e Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Demokratike. Ai i ka dorëzuar dorëheqjen kreut demokrat, Lulzim Basha, e cila është pranuar.

PD ka konfirmuar lajmin, ku me anë të një deklarate, Basha thekson se kontributi i Gert Bogdanit do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm në sfidat që Partia Demokratike ka përpara për Shqipërinë si Europa.

Po ashtu, lajmi bëhet i ditur edhe nga Bogdani me anë të një statusi në Facebook, pasi falënderon Berishën e Bashën, ai shkruan: “Si rezultat i një kohe të gjatë në këtë pozicion, besoj ka ardhur koha për të pranuar sfida dhe angazhime të reja, për të vazhduar të jap kontributin tim për forcimin e mëtejshëm të Partisë Demokratike. Ju garantoj ju dhe çdo anëtar të Partisë Demokratike që angazhimi dhe përkushtimi në këto sfida të reja, do të jetë gjithmonë maksimal dhe gjithmonë duke ruajtur parimin se të drejtat, mirëqenia dhe shpresa e munguar, jo vetëm e çdo demokrati, por mbi të gjitha e çdo qytetari të ndershëm shqiptar, do të jetë ylli polar i punës sime. Ndaj, në këtë kuadër i kam kërkuar kryetarit të Partisë Demokratike të pranojë dorëheqjen time nga pozicioni i Sekretarit të Marrëdhënieve me Jashtë të Partisë Demokratike”, shkruan ndër të tjera Bogdani.

Menjëherë, Partia Demokratike ka emëruar në pozicionin e mbajtur prej vitesh nga Bogdani, zotin Arben Kashahu, i cili është në profesion jurist dhe pas përvojës 5-vjeçare si drejtues i lartë në Ministrinë e Integrimit, ka punuar në disa organizata dhe shoqëri ndërkombëtare.

Shkarkoni aplikacionin e A2