Mesazhi indirekt i Peleshit: E mira, e keqja dhe hierarkia e korrupsionit – A2

Mesazhi indirekt i Peleshit: E mira, e keqja dhe hierarkia e korrupsionit

Ndaj Niko Peleshit, ish-ministër i Bujqësisë, Prokuroria ka nisur një verifikim hetimor lidhur me një insekticid që ndodhet në treg e që pretendohet të jetë i rrezikshëm. Por të dielën në një thatësirë lajmesh, ish-ministri e shfrytëzoi për të treguar se gjithçka po e pret me qetësi dhe pa pezmatim nga e keqja.

Përmes një postimi dhe disa mesazheve në faqen e tij në “Facebook”, ai duket të jetë përpjekur të grupojë veten te socialistët e lexuar dhe në reflektim. Në këtë drejtim flasin disa mesazhe të Niko Peleshit që tingëllojnë të koduara, ndërsa zgjedh të theksojë se e mira dhe e keqja janë kudo dhe se nuk ka sistem puritan dhe as totalisht të korruptuar. Por pak a shumë, raporti ndërmjet të mirës dhe të keqes, qëndron si një mesatare morale e shoqërisë. Peleshi zgjedh të flasë përmes shkrimit “Dhe tani një fjalë nga një fanatik” te David Brooks në New York Times. Ish-ministri i qeverisë Rama përzgjedh një paragraf ku ndër të tjera thuhet: ‘’Sistemi im moral është i thjeshte: Lart është e keqja dhe poshtë është e mira. Njerëzit me status hierarkik më të larte se unë janë të korruptuar, ndërsa ata që janë përreth meje janë viktimat e korrupsionit të tyre”.

Peleshi thotë se dekadenca morale është ngjitëse për shkak se shoqëria është një sistem ingranazhesh të lidhur me njëri-tjetrin. Pastrimi i vetëm njërit prej tyre nuk bën punë. Në të njëjtin linjë, ai nënvizon edhe një mesazh të fundit nga libri i ish-ministrit grek te Financave, Jani Varufakis, për vlerësimin e të mirave që të mbushin jetën, duke të sjellë gëzim e lumturi, mbi mallrat edhe pse edhe atyre në ekonomi ju referohemi si të mira. Edhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmri Bushati, ka përcjellë mesazhe kritike për çfarë po ndodh në gjirin e socialistëve, mesazhe që nuk janë pritur mirë në selinë rozë.

Shkarkoni aplikacionin e A2