Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Na ka marrë malli për shprehjen “humbje dinjitoze” - Notat e kombëtares

Nga A2 CNN
8 Shtator 2019, 08:17 | Futboll
Na ka marrë malli për shprehjen “humbje dinjitoze” - Notat

Ndaj Francës e kanë të vështirë të luajnë edhe superfuqitë e futbollit botëror, por të dorëzohesh ende pa nisur ndeshja është e papranueshme. Më keq se kaq skuadra kombëtare nuk ka qenë në asnjë kohë.

Futbollistë që duket sikur nuk ua dinë emrin njëri-tjetrit, një trajner që dremit mbi ide të vjetëruara dhe pak besim nëse kthen kokën për të parë nga stoli. Është e qartë që pas çdo përfundimi cikli duhet të vijë një përiudhë e vështirë, por jo me kaq pesimizëm sa është duke u shfaqur kjo skuadër. Franca padyshim nuk është kundërshtari ndaj të cilit kërkojmë rezultat, por ajo që pamë në këtë ndeshje, na bëri të ndihemi nostalgjikë edhe për shprehjen “humbje dinjitoze”.

Është shumë e vështirë të vendosësh nota për këtë skuadër, për të mos ofenduar edhe futbollistët për emrin që gjithësecili ka.

Strakosha 5 - Në një ndeshje të tillë portieri është më pak i ngarkuar me përgjegjesi, pasi i gjithë uji që fuste mbrojtja vinte vrullshëm në katërkëndëahin e tij.

Gjimshiti 5.5 - Dukej si fundit i Mohikanëve që mundohej të luftonte në çdo drejtim, për të dubluar aty ku shokët kishin mangësi.

Ismajli 4.5 - I mungon eksperienca por ka cilësi të mira. Kjo nuk ishte ndeshja e duhur për të kuptuar kualitetin por dhe koordinimin e tij në fushë, sugurisht edhe me këtë mënyrë loje.

Mavraj 4.5 - Nuk mjafton të mbash shiritin e kapitenit fizikisht në krah, por atë duhet ta demonstrosh. Mavraj ka kohë që nuk e bën dhe vitet po e vënë poshtë.

Hysaj 5 - Kush kupton nga futbolli e dallon qartë që i mungojnë minutat e lojës. Shumë më pozicional se Roshi, por Coman dhe më pas Idole e mundën me shpejtësi.

Roshi 4 - Jo gjithnjë është faji i futbollistëve, në shumë raste ata marrin edhe nga gabimet e trajnerëve dhe mbrëmja në Paris ishte e tillë me Roshin, që ka pak reflekse si mbrojtës dhe ne duhet të jemi të kënaqur që pësuam vetëm 2 gola nga gabimet e tij.

Ramadani 4.5 - Mbajti një ngarkesë të madhe në pjesën e parë dhe ju desh të dublonte shumë herë dhe në prapavijë. Në disa momente u mudua të vendoste ekuilibër në mesfushë, por vuajti presingun e lartë të Francës.

Abrashi 5 - Shumë luftarak në lojën mbrojtëse, me shumë kilometra në këmbë, por pak kreativitet në fazën sulmuese. Pak pika kontakti për të shtyrë përpara.

Bare 5 - Një futbollist agresiv dhe me dëshirë. Vrapoi shumë, por kishte pak mbështetje në veprimet e tij. Një pozicion i gjetur në fushë, ndoshta për ndeshje me kundërshtarë të nivelit tonë.

Balaj 4.5 - Vrapoi, dyluftoi, u përplas me dy nga mbrojtësit më të fortë të botës, përkatësisht lojtarë të Real Madrid dhe Barcelonës. Nuk kishte një shtator të tretë për të pas Portugalisë dhe ndaj Maqedonisë.

Uzuni 4.5 - Ka vrapuar shumë përgjatë 90 minutave në të gjitha linjat e sulmit, por skuadra harxhoi shumë energji në mbrojtje dhe hapi drejt sulmit nuk e ndihmoi të plotësonte detyrat e tij.

Gjasula 5.5 - Agresiviteti me të cilin e nisi lojën e tij bëri që të spostoheshin shumë topa përtej gjysmëfushës tonë. Lojtar me shumë prezencë në qendër të mesfushës, por ka nevojë për pika kontakti.

Cikalleshi 5 - Rikthimi te goli është motivim, por ai duket se bëri pak më shumë se vjedhja e penalltisë. Kërkues për topin e parë, u vendosur mirë mes linjave dhe i saktë në pasime.

Xhaka 5 - Është pjesë e shkollës se vjetër dhe karakteri tij, në shumë raste triumfon mbi mundesitë fizike. Përplaset dhe kërkon dyluftimin në çdo pozicion të fushës.

Reja 4.5 - Guximi i tepruar me Roshin ju kthye në një bumerang. Skuadra u çekuilibrua dhe nuk e gjeti më aksin për tu drejtuar nga gjysmëfusha kundërshtare. Edhe reagimet ishin me shumë vonesë, duke e pranuar humbjen pa asnjë kusht. Të gjithë ata që e ndjekin prej vitesh kombëtaren sot prisnin që Reja të kopjonte ndonjë nga leksionet e vjetra që ka lënë De Biasi në zyrat e FSHF: sigurohu që të mos pësosh, pastaj mendo për të shënuar.

A2 CNN Livestream

Dita jonë