Analistët: Sfidë politike, Meta fitoi në Komision

Shmangia e djegies së Kuvendit ishte karta që luajti Ilir Meta për të justifikuar para deputetëve anulimin e 30 qershorit.

“Por a i mjafton kjo Presidentit për të evituar shkarkimin nga detyra? “Duket se kemi dy akte paralele, një vendim të prerë presidencial, për të cilin mendoj se nuk ka mbështetje në Kushtetutë dhe nga ana tjetër kemi një akt politik, i cili e kalon frymën në nenin kushtetues dhe përpiqet të zgjidh një krizë politike, e cila është e kuptueshme dhe është një nga funksionet e presidentit. Nuk kemi një qëndrim bardhezi, por kemi përdorim të dy akteve për interesa të caktuara më shumë politike sesa institucionale nga Presidenti i vendit”, shprehet analisti Afrim Krasniqi.

“Më shumë sesa vlerë juridike, ky është një ballafaqim i lartë politik. Është një sfidë politike e pastër”, thotë analisti Aleksandër Çipa.

Vjeshta duket se kishte ulur edhe temperaturën e deklaratave të Presidentit, i cili nga stili luftarak i verës shfaqi një ton më institucional. “Zoti Meta fitoi si individ në këtë Komision për shkak të nivelit të anëtarëve”, shprehet Krasniqi.

Meta thotë se do të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit, por çfarë do të bëjë Presidenti pas Presidencës? “Mandati i tij varet nga ecuria e LSI-së, të cilën ai e ka krijuar. Kjo do të thotë, nëse LSI do të ketë kuota më të larta, me siguri Presidenti do të jetë komod, nëse LSI ka tronditje, mandati i Presidentit do të jetë në varësi nga mandati politik i LSI-SË”, thotë Krasniqi.

“Jemi në kapitullin e politikës ku një pjesë e tyre nuk mund ta vazhdojnë dominimin e tyre në jetën politike dhe më i kërcënuari në këndvështrimin e tanishëm duket Presidenti Meta”, tha Çipa.

Komisioni i Venecias të martën nis takimet me palët në Tiranë, por a do të jetë opinioni i juristëve ndërkombëtarë përcaktuar për fatin presidencial të Ilir Metës? “Komisioni i Venecias nuk jep kurrë interpretim bardhezi. Palët nuk do të arrijnë dot ta përdorin Komisionin e Venecias si argument për rrëzimin apo jo të Presidentin”, thotë Krasniqi.

“Unë mendoj se shumica socialiste, betejën e nisur me presidentit duhet ta çojë deri në fund, në të kundërt do të marrë një kosto politike vetë-ndëshkuese”, tha Çipa.

Shkarkoni aplikacionin e A2