“Hetim e dekriminalizim”, PS në sulm ndaj Metës, PD ndaj të zgjedhurve socialistë
Gazetari dhe analisti Aleksandër Çipa ishte i ftuar në Ditarin e orës 09:00 ku komentoi aktualitetin politik në vend, në një ditë kur Presidenti Ilir Meta do të dëshmojë në Komisionin e ngritur për shkarkimin e tij.
Presidenti te Hetimori
“Më shumë sesa vlerë juridike, ky është një ballafaqim i lartë politik. Seanca do të jetë në vëmendje jo vetëm në vëmendje të medias, por edhe të opinionit publik. Kjo është një sfidë politike e pastër. Ky antagonizëm ka buruar fill pas zgjedhjes së tij në këtë post të lartë. Unë besoj se kjo vjen për shkak të lojës politike që zhvillojnë palët. Siç është konsumuar skena politike nga protagonistët, një pjesë e tyre nuk mund ta vazhdojnë dominimin e tyre në politike dhe më i kërcënuari duket sikur është Meta. Edhe nëse ai do ta përfundojë këtë mandat duhet të përcaktojë pozicionin e mëtejshëm në politik, do të rikthehet në partinë e tij apo do të krijojë një alternativë tjetër në protagonizmin politik. Seanca e sotme në Komisionin Hetimor është një premisë për të marrë një protagonizëm të ri Presidenti”.
Pozicioni i Metës pas përfundimit të mandatit si President
“E vetmja mundësi duket se është ajo e kalimit në rolin e një opozitari, e një politikani, i cili tashmë do të bëjë skanimin e shumicës duke u rikthyer edhe njëherë te pikat e dobëta të së majtës, e cila sot është heterogjene”.
Fati i Metës pas hetimit të Komisionit
“Unë mendoj se shumica socialiste, betejën e nisur me Presidentin duhet ta çojë deri në fund, në të kundërt do të marrë një kosto politike vet-ndëshkuese edhe për situatat e ardhshme dhe do të jenë edhe më komplekse sesa shfaqen aktualisht. Beteja duhet të jetë e pakthyeshme. Mendoj se socialistët kanë një situatë ndikuese, por çfarë do të vijë më vonë mbetet për t’u parë. Në skenën politike priten natyrshëm ndryshime dhe pse jo edhe një prishje të ekuilibrit të dominuar nga socialistët. Vendimi për statusin do të jetë përcaktues edhe për lojën politike dhe do të ndryshojë edhe strategjinë e reagimit nga aktorët politikë”.
Kryeministri i Greqisë, një “armik” i ri i deklaruar?
“Deklarata e kryeministrit të Greqisë lidhet me një kontekst të caktuar politik. Unë mendoj se nuk mund ta quajmë armik. Greqia edhe pse ka bërë presion, kurrë nuk e ka pasur një votë kundër Shqipërisë. Një votë kundër, më shumë do t’i kushtonte Greqisë. Qëndrimi do të përkojë me atë të Gjermanisë”.