Lufta për “armën e fshehtë” të El Chapo-s

Ato ishin arma e tij e fshehtë që e lejuan të rritej dhe të shndërrohej në një prej trafikantëve të drogës më të mëdhenj në botë. Por, që prej dërgimit të tij pas hekurave përjetë, tunelet e famshme të nëndheshme të ndërtuara prej tij për të transportuar drogën nga Meksika në SHBA janë bërë “trofeu” i lakmuar nga të gjithë.

Sipas informacioneve të mbledhura nga Instituti Meksikan në Qendrën “Wilson” në SHBA, grupet e ndryshme kriminale po luftojnë për të marrë në kontroll këto tunele, burim i të ardhurave të sigurta. Duncan Wood, drejtor i këtij instituti, tha për mediat: “Mendoj që në kufirin mes dy shteteve mund të jenë 10 deri në 50 tunele të tillë që janë ende në përdorim. Kartelet kanë investuar shumë kohë dhe mund për t’i ndërtuar ato. Shpeshherë ato ndërtohen poshtë godinave nga të dy krahët, për t’u maskuar më mirë”.

Shumica e tuneleve janë të kontrolluar nga një kartel, por shpesh ato “i japin me qira” dhe përfitimi është shumë i madh, sepse kilometri i fundit, ai që dërgon drogën në SHBA, është më i rrezikshmi. Kjo ka bërë që trafikantët të luftojnë fort për to. Tetorin e kaluar DEA zbuloi dhe mbylli një tunel të papërfunduar në një qytezë më pak se dy kilometra brenda territorit amerikan. Tuneli ishte tepër modern, me panele diellore që shërbenin si burim energjie dhe pompa të fuqishme për të thithur ujin.

El Chapo, 62-vjeç, u shpall fajtor në shkurt për trafik kokaine me vlerë 12 miliardë dollarë në SHBA, si dhe heroinë e kanabis, duke drejtuar të ashtuquajtur Kartelin e Sinaloas.

Shkarkoni aplikacionin e A2