Presidenti Meta sqaroi para Komisionit Hetimor i ngritur për shkarkimin e tij nga detyra, arsyet që e çuan në anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Meta u shpreh para anëtarëve se prezenca në komision lidhet me shembullin që Presidenti duhet të japë për bashkëpunimin institucional, ndërsa veçoi se tashmë Kuvendi e ka bërë gjykimin për të para hetimit. Kreu i shtetit tha se vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve erdhi pas informacioneve se në protestën e opozitës në 8 qershor persona të caktuar do tentonin të digjnin Kuvendin e Shqipërisë.
12:15 - Presidenti Meta mbyll raportimin në Komisionin Hetimor
11:45 - Meta-Finos: “Nuk kam asnjë perceptim personal për ju. Gjithmonë keni qenë i preferuar nga ana ime. Edhe kur kam qenë palë, kryetar parlamenti edhe kryetar i LSI, për çështjet madhore kam qëndruar mbi palët dhe shembulli më i qartë ka qenë reforma në drejtësi. Kurrë nuk do të ndodhte nëse unë nuk do të isha mbi palët. E dija që ishte e vetmja mënyrë që Shqipëria të merrte një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave. Me këto që po ndodhim kam frikë se ky rekomandim do të mbetet për një kohë të gjatë vetëm i tillë. Unë kam vetëm një pyetje, pse nuk mu kërkua mua që të luaja një rol që opozita të mos i dorëzonte mandatet? Pse duhej të nxitohej aq shumë që të bëheshin zëvendësime në bllok deputetësh. Dua t’iu them se duke respektuar bindjet tuaja politike, unë në këtë detyrë do të jem vetëm në mbrojtje të Kushtetutës së Shqipërisë, të interesit kombëtar”.
11:42 - Bashkim Fino-Metës: Thoni që jeni mbi palët, por mua më keni krijuar përshtypjen që jemi i palshëm. Në rastin konkret ju i keni shërbyer një pale. Ata nuk do të vijnë në 13 tetor, por si do të dali Presidenti mbi palët.
11:35 - Meta - Çfarë do të bëj unë me dekretin e 13 tetorit? “Thërrisni ministren e Drejtësisë dhe bindeni të publikojë dekretin në fletoren zyrtare”.
11:05 – Meta: “Kushtetuta ia lejon presidentit për të nxjerrë dekrete. Presidenti ka nxjerr dekret për shfuqizimin e datës, jo të zgjedhjeve. Përveç aspektit kushtetuese dhe detyrimeve ndërkombëtare janë disa presidentë të Shqipërisë të cilët kanë vepruar në një mënyrë të tillë apo të ngjashme për shkak të rrethanave dhe çtensionimin e situatës. Precedentin e parë e ka krijuar në 1991 Ramiz Alia, i cili shtyu zgjedhjet me dy muaj për t’i dhënë kohë opozitës që të merrte pjesë në zgjedhje dhe të kishte një kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur”.
10:55 - Meta: “Çfarë mund të bënte presidenti kur të dyja palët donin konfrontim? Mos harrojmë që një efektive e policisë i humbi gishtat. Nuk mund të prisja që të humbte jetën një efektiv policie. Asnjë nga palët nuk do të mbante përgjegjësi. Dhe kështu kriza do të përshkallëzohej dhe nuk ishte në interes të Shqipërisë, Kosovës apo rajonit. Mendoj se kam bërë aktin më të mirë të mundshëm. E kam pasur të pamundur të thërrisja një tryezë pasi asnjë nga palët nuk tërhiqej nga pozicionet e tyre”.
10:45 - Meta: “Kam qenë kritik ndaj opozitës për vendimin e saj për dorëzimin e mandateve, opozita vazhdoi me hapin e saj tërësisht të papërgjegjshëm dhe mazhoranca nxitoi në mënyrë të papranueshme për të zëvendësuar në bllok deputetët pa bërë asnjë përpjekje për të vendosur një dialog. Nuk ka shqiptar që nuk e di që Shqipëria është në një krizë të tmerrshme përfaqësimit. Kjo është për shkak të të dyja palëve. Nuk janë tërhequr thjesht 60 deputetë të opozitës, por 180 deputetë, duke lënë të paplotësuar numrin 140 në Kuvend”.
10:22 - Meta: Presidenti ka pasur informacione nga institucionet e sigurisë për përpjekje për të organizuar akte destabilizimi në vend. Në mënyrë të veçantë më datë 7 qershor, Presidenti ka marrë një informacion që është sekret dhe i klasifikuar, komisioni mund të njihet më këtë informacion pasi të kryen procedurat. Informacioni bënte të qartë që persona të caktuar do të shfrytëzonin protestën e opozitës për djegien e Kuvendit në datën 8 qershor.
10:16 - Meta: "Presidenti, duke nxjerr një dekret për shfuqizimin e datës 30 qershor, ka shmangur një proces jo demokratik të votimit me një kandidat".
10:10 – Presidenti Meta flet në Komision
“Nuk do të dëshiroja të mbaja ndonjë fjalim për arsye se të gjitha katet janë publike për dekretet. Unë kam dhënë një përgjigje ndaj zotit Ruçi. Jam sot këtu pasi kam një bindje të plotë se çdo politikan duhet të respektojë institucionet. Në interes edhe të transparencës, për të dhënë edhe disa të dhëna të tjera, të cilat ju shërbejnë të gjithëve për t’u qartësuar më shumë”.
10:00 - Nis mbledhja e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta
***
I shoqëruar nga këshilltari për çështjet e sigurisë kombëtare, Bahri Shaqiri dhe ai për mediat, Tedi Blushi, rreth orës 09:50 minuta, Presidenti Ilir Meta u rikthye në Kuvend, ku do të dëshmojë në Komisionin e ngritur për shkarkimin e tij.
Ai është i pari President që dëshmon në një Komision Parlamentar. Kreu i shtetit u rikthye në Kuvend, prej nga ku për 4 vite radhazi, deri në 2017-n, orientoi planin e punës dhe vendimmarrjen e Parlamentit, si kryetar i tij.
Ato që deri më tani i ka artikuluar nëpër konferenca shtypi, Presidenti do t’ia përcjellë përballë deputetëve të Komisionit Hetimor që kërkon shkarkimin e tij për shkak të anulimit të dekretit të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe caktimin e 13 tetorit si datë të re për mbajtjen e tyre.
Këto qëndrime, kreu i shtetit do t’ia përcjellë edhe ekspertëve faktmbledhës së Komisionit të Venecias, të thirrur për asistencë nga hetimori. Ata do të zbarkojnë në Tiranë sot, por takimet kryesore, përfshirë dhe atë me presidentin do ta kenë në datën 10. Në tre ditë, delegacioni do të takojë dhe Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendi, opozitën në Kuvend dhe atë jashtë tij, anëtarët e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës, ministrin e Brendshëm, Përfaqësues të KQZ-së dhe anëtaren në detyrë të Gjykatës Kushtetuese.
Në 11 dhe 12 tetor, Venecia pritet të votojë në sesionin plenar të saj raporti me gjetjet e këtyre takimeve. Duke dhënë një opinion të sajin nëse Presidenti e ka shkelur apo jo Kushtetutën, shkelje sipas të cilave mazhoranca kërkon ta shkarkojë. (A2 Televizion)