Ministri i Jashtëm gjerman, ‘‘Tirana dhe Shkupi progres, të çelen negociatat’’ – A2

Ministri i Jashtëm gjerman, ‘‘Tirana dhe Shkupi progres, të çelen negociatat’’

Gjermania dhe Kroacia, dy vendet që do të kenë Presidencën e radhës të Bashkimit Europian gjatë vitit 2020-të mbështesin hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatë një konferencë të përbashkët me homologun kroat, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Mass, vlerësoi progresin e bërë nga dy vendet e Ballkanit Perëndimor dhe tha se Bundestagu gjerman do të marrë së shpejti një vendim.

“Mendoj se Bashkimi Europian, si një projekt paqeje dhe promotori ekonomik, nuk është askund tjetër më i rëndësishëm se në Ballkanin Perëndimor. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë progres real dhe unë nuk kam çfarë të them tjetër. Duhet t’iu ofrojmë këtyre dy vendeve një perspektivë te besueshme europiane dhe duhet të nisim bisedimet për anëtarësim. Kjo është diçka të cilën ne nuk po e diskutojmë vetëm në qeverinë gjermane, por edhe në Bundestag ku duhet të merret një vendim” u shpreh diplomati gjerman.

Mass është shprehur në disa raste në favor të çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por qeveria gjermane është përçarë lidhur me çështjen. Rezistenca e Merkel dhe liderëve të tjerë të Europës veriore bënë që vendimi të shtyhej në tetor. 

Shkarkoni aplikacionin e A2