Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

“Revolucion” para Islandës, Reja ndryshon pesë titullarë

Nga A2 CNN
9 Shtator 2019, 23:40 | Futboll

Vetëm porta e paprekur. Pavarësisht largimit të Etrit Berishës, mes shtyllave do të mbetej Strakosha. Ai është reparti i vetëm, në të cilin përpara ndeshjes së kësaj të marte me Islanden, trajneri Edy Reja nuk kishte dilema.

Në mbrojtjen me tre, tekniku kuqezi njoftoi publikisht lënien në stol të kapitenit Mavraj, vendin e të cilit si qendër e majtë e merr Kastriot Dermaku. Lojtari i Parmës do të jetë përkrah Gjimshitit dhe Ismajlit.

Në skemën 3-5-2, reparti me i prekur nga ndryshimet është mesfusha. Nga ndeshja me Francën shpëtojnë vetëm kapiteni Elseid Hysaj në të djathtë dhe Keidi Bare në qendër. Ulen në stol Ramadani dhe Abrashi, vendin e të cilëve pritet ta marrin Memushaj dhe debutuesi Klaus Gjasula.

Rreshtimi i mundshëm

Në krahun e majtë Lenjani mendohet të luajë në pozicionin e tij natyral, aty ku Reja eksperimentoi dhe pagoi faturën e kripur me Roshin.

Në sulm konfirmohet Uzuni, ndërsa në rolin e pykës pritet të jetë Sokol Çikalleshi, me Bekim Balajn që ulet në stol.

Reja ka "shpëtuar" Uzunin dhe Baren nga disfata franceze

Një bisedë e gjatë me sulmuesin në stërvitjen e fundit, këshilla për atë çfarë trajneri kërkon në fushë. Çikalleshi e fitoi vendin, duke marrë penallti dhe duke e shënuar ai vetë në Stade de France.

Me skemën e tij të preferuar dhe pesë ndryshime në formacion, Edy Reja kërkon të rikthejë Shqipërinë te suksesi. Duke nisur prej sfidës së 10 shtatorit në Elbasan Arena.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani