Takimi me kryeministrin irlandez, Johnson: Brexit pa ujdi do të ishte një dështim

Një Brexit pa ujdi do të ishte një dështim, për të cilin, qeveria britanike dhe ajo irlandeze do të jenë përgjegjëse. Deklarata vjen nga kryeministri britanik, Boris Johnson gjatë takimit të parë me homologun irlandez, Leo Varadkar që prej marrjes së detyrës në korrik.

Shefi i qeverisë së Londrës u shpreh optimist nga Dublini, se një marrëveshje mund të arrihet në samitin e ardhshëm të Bashkimit Europian.

“Besoj se një ujdi mund të arrihet deri më 18 tetor, kështu që le ta bëjmë atë së bashku”, deklaroi Johnson.

Kryeministri irlandez theksoi se divorci pa ujdi nuk do të sillte një shkëputje të pastër mes Britanisë së Madhe dhe BE-së.

“Në pikëpamjen time, historia e Brexit nuk përfundon me largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga BE me 31 tetor ose me 31 janar. Nuk ka diçka të tillë si shkëputje të pastër apo thjesht ta përfundojmë, por në vend të kësaj, ne do të hyjmë në një fazë të re”, u shpreh Leo Varadkar.

Dy kryeministrat nuk u dakordësuan lidhur me afatin e largimit nga unioni, me Johnson që mbështet 31 tetorin, ndërsa qeveria irlandeze kërkon një shtyrje tjetër. 

“Ne duhet përfundojmë Brexit pasi Britania duhet të largohet nga BE më 31 tetor, në të kundërt kam frikë se një dëm afatgjatë do t’i bëhet besimit të britanikëve në sistemin tonë të demokracisë”, shtoi kryeministri britanik.

Ndërkohë, Johnson e sheh veten në një pozitë të vështirë me shumë pjestarë të partisë së konservatore që kundërshtojnë planin e tij të divorcit nga BE. Së fundi Ministrja e Punës, Amber Rudd dha dorëheqjen. Ky zhvillim ka bërë që kryeministri britanik të përgatisë një mocion, me të cilin do të kërkojë zgjedhje të parakohshme me 15 tetor. Por kjo kërkesë pritet të rrëzohet në parlament, pasi partitë opozitare nuk pranojnë zgjedhje pa përjashtimin e opsionit: Brexit pa ujdi. 

Shkarkoni aplikacionin e A2