Euro 2020, 4-2 ndaj Islandës, Shqipëria rindez shpresat

Kërkohej një përgjigje në fushën e lojës dhe ashtu ndodhi. Shqipëria hodhi pas shpine disfatën në Francë dhe realizoi objektivin ndaj Islandës. Ndeshja e cilësuar si “më e rëndësishmja në këtë edicion” u fitua me rezultatin 4 me 2.

Megjithë rezultatin e thellë, Kombëtarja rrezikoi, sepse nordikët barazuan në dy raste. Mbrojtësit Dermaku dhe Hysaj shënuan golat e parë në Kombëtare, Cikalleshi konfirmoi formën e mirë me Kombëtaren, ndërsa Odise Roshi mbetet heroi kuqezi. Asnjëherë më parë Shqipëria nuk kishte fituar një ndeshje zyrtare kualifikuese me katër gola të shënuar dhe tani skuadra e Edy Reja-s pret një tjetër finale, ajo e 11 tetorit në Turqi.

Nga Ferri në Parajsë, Roshi kthehet në heroin e kombëtares

Të shtunën e kaluar u tregua me gisht si fajtori i humbjes së kombëtares ndaj Francës në Paris dhe ndaj Islandës u “ndëshkua” nga trajneri Edi Reja me nisjen e ndeshjes nga stoli.

Por, në minutën e 62-të të takimit, kur rezultati ishte 2-2, Odise Roshi hyri në fushë dhe ndryshoi gjithçka.

Fillimisht, mesfushori shënoi golin tretë me anë të një goditjeje të fortë me të djathtën që u devijua nga mbrojtësi islandez dhe përfundoi në rrjetë.

5 minuta më vonë, Roshi ndërmori një aksion individual dhe pasoi topin te Memushaj, krosimin e të cilit në zonë e shfrytëzoi më së miri Cikalleshi, duke shënuar golin e katërt.

Shqipëria e kishte mbyllur pjesën e parë të ndeshjes me rezultatin 1-0. Në minutën e 32-të, tanët kaluan në avantazh pas një harkimi perfekt të Memushajt dhe Kastriot Dermaku me kokë mposhti portierin islandez.

Në fillimin e pjesës së dytë erdhi barazimi islandez, me anë të Sigurdsson (47’).

Avantazhin për kuqezinjtë e riktheu Elseid Hysaj, i cili pasoi te Manaj, që nga ana e tij mbylli trekëndëshin me një passim perfekt me takë, duke e nxjerrë kapitenin e Shqipërisë ballë për ballë me portierin islandez, të cilin e mposhti me këmbën e majtë.

Sigthorsson barazoi rezultatin në 2-2 përpara se Roshi t’i tregonte të gjithëve se nuk është ai që pamë të shtunën në mbrëmje.

Me fitoren 4-2, Shqipëria renditet në vendin e katërt të grupit H me 9 pikë. Grupin e kryeson Turqia dhe Franca me nga 15 pikë, ndërsa Islanda mban vendin e tretë me 12 pikë.

Shkarkoni aplikacionin e A2