Tahiri: Proces i montuar, provat e drejtësisë italiane nuk i kundërshton dot njeri

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tha se procesi kundër tij është i montuar dhe akuzat ndaj tij janë krejtësisht të pavërteta. “Unë akuzohem që jam pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, për trafikimin e drogës, bashkë me disa policë, të cilët siç e patë edhe ju nuk kanë qenë as policë në Vlorë në kohën kur është bërë ky trafikim. Po këta policë kanë denoncuar Habilajt dhe ky procedim penal ndaj meje është nisur nga këta policë. Provat e paraqitura janë po aq të gënjeshtërta, të tilla i dallon edhe vendimi i Gjykatës italiane. Sot u provuan që janë gënjeshtra, me prova të cilat nuk i kundërshton dot njeri”, u shpreh Tahiri.

Tahiri akuzohet se Habilajt kanë dërguar drogë në Itali me një skaf ku ka udhëtuar edhe ish-ministri. Por edhe kjo, sipas tij, është e gënjeshtër. “Prokuroria pretendon këtë, por këtë e hedh poshtë Prokuroria italiane. E vërteta ime është fare e thjeshtë, e provuar me letra dhe fakte aq kokëfortë sa askush nuk i del dot përballë. Është aq montaturë ky proces sa unë nuk kam asnjë shpjegim”, tha ish-ministri.

Shkarkoni aplikacionin e A2