Venecia dhe opozita parlamentare, Hajdari e Gjoni: Na bënë pyetje politike për krizën – A2

Venecia dhe opozita parlamentare, Hajdari e Gjoni: Na bënë pyetje politike për krizën

Pas takimit të zhvilluar me përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare Bylykbashi dhe Gjosha, delegacioni i Komisionit të Venecias ka vijuar agjendën me deputetët e opozitës aktuale në Kuvend, Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni.

Në takimin me përfaqësuesit e opozitës parlamentare, të deleguarit e Venecias kanë dashur të mësojnë më shumë rreth krizës politike.

“Pyetjet që ata bënë nuk ishin më shumë pyetje teknike, por ishin politike se çfarë do të ndodh. Edhe njëherë dua të them se ne vazhdojmë se jemi sa më konstruktivë si opozitë parlamentare dhe shikojmë se çdo aktor, i të gjitha palëve, mundohet të japë versionin e tyre se çfarë po ndodh. Por në fund do të jetë delegacioni që do të japë një opinion për atë se çfarë po ndodh”, u shpreh deputetja Hajdari pas takimit.

Edhe deputeti Ralf Gjoni konfirmon se pyetjet e anëtarëve të delegacionit të Komisionit të Venecias ishin më shumë politike. Gjoni tregon se e informoi delegacionin për çështjen e shkarkimit të presidentit Meta, e cila sipas tij ka nisur me një përshpejtim të panevojshëm.

“Anëtarët e Komisionit të Venecias kishin pyetje me natyrë politike. Kjo do të thotë që ata marrin në konsideratë situatën në kontekstin aktual dhe rrëmujën politike në të cilën gjendet vendi gjatë procesit të hartimit të opinionit të tyre. Ai kam bërë të ditur se për sa i përket çështjes së shkarkimit të Presidentit është një procedurë e komplikuar që ka nisur me përshpejtim të panevojshëm në një kontekst politik problematik për Shqipërinë”, tha deputeti Gjoni.

Shkarkoni aplikacionin e A2