Akuzat ndaj kryetarëve të bashkive, Pëllumbi: Ligji i dekriminalizimit, nevojë për disa ndryshime

“Presidenti ishte dje në Komisionin Hetimor dhe kjo do të finalizohet me një vendim. Ne jemi të bindur se 55 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë mendojnë se Presidenti i Republikës ka bërë një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për rrjedhojë, Komisioni Hetimor edhe në bashkëpunim me sugjerimet që do të japë Komisioni i Venecias, do të përpilojë një raport që do të shqyrtohet më pas në seancën plenarë”.

Kështu u shpreh në Ditarin e orës 13:00 Arben Pëllumbi, sekretar organizativ në PS, teksa komentoi mbledhjen e një dite më parë të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta. Më tej, ai theksoi se do të pritet edhe Komisioni i Venecias dhe raportin e Komisionit Hetimor.

Akuzat e PD ndaj kryetarëve të bashkive

“PS nuk është një shërbim i specializuar të dijë të shkuarën e secilit prej nesh. Në rast se dikush ka gënjyer në raport me ligjin, është problemi i tij personal dhe duhet të përballet me ligjin. Filtrat tanë shqyrtojnë dhe kontrollojnë atë çka vetëdeklarohet. Ne nuk kemi asnjë lloj mundësie se çfarë mund të ketë bërë dikush në 1991-shin në shtete të huaja. Përgjegjësia e PS në këto raste është kur i mbron këta individë të tillë, por këtë nuk e kemi bërë dhe nuk do ta bëjmë”.

“Ligji i dekriminalizimit, nevojë për disa ndryshime”

“Ligji i dekriminalizimit, në këndvështrimin tim është një ligj antikushtetues, por në momentet që ne po kalojmë ka vlerën e vetë dhe ka dhënë edhe rezultate. Por unë mendoj se mund të ketë nevojë për rishikime, pasi po na del se pavarësisht faktit që ti deklaron apo merr përgjegjësi krijon disa kosto politike. Ndoshta ka nevojë edhe për disa ndryshime”.

Ndërkombëtarët këmbëngulin për reformë zgjedhore

“Ne e kemi thënë se rruga e vetme për të rregulluar atë çka u prish me daljen e PD nga sistemi politik është funksioni i Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ne kemi krijuar një vend ekstra për t’i dhënë një vend edhe opozitës jashtëparlamentare me të drejtë vetoje. Tani edhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar po afrohen te ideja jonë që pa bërë një reformë zgjedhore të tillë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2