Deklaratat e Netanyahu për aneksim në Bregun Perëndimor, reagon Liga Arabe

Kombet Arabe dënuan ashpër një plan të prezantuar së fundmi nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu për të aneksuar një pjesë të Bregut Perëndimor.

Një ditë më parë kreu i qeverisë izraelite premtoi të shtrinte sovranitetin e Izraelit në luginën e lumit Jordan dhe në veri të Detit të Vdekur, nëse rizgjidhet sërish në detyrë.

Zyrtarë të lartë në Jordani, Turqi dhe Arabi Saudite reaguan në mënyrë të menjëhershme pas kësaj deklarate. Liga Arabe e konsideroi këtë zhvillim të ri si një akt agresioni.Një diplomat palestinez e cilësoi një lëvizje të tillë si krim lufte që do të groposte çdo shans për paqe.

Izraeli e ka pushtuar Bregun Perëndimor që në vitin 1967, por ishte ndalur së paku nga aneksimet. Më herët Netanyahu kishte insistuar se Izraeli gjithmonë do të ketë një prezencë në Luginën e Jordanit për qëllime sigurie.

Ky plan i Kryeministrit izraelit u prezantua gjatë fushatës elektorale që Netanyahu po zhvillon për zgjedhjet e ardhshme. Ai tha se ka në plan të aneksojë të gjitha ndërtimet e hebrenjve në Bregun Perëndimor, por për këtë gjë i duhet të presë deri në publikimin e planit të shumëpritur të presidentit Trump për paqen mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2