“Do ta dekoroj Ramën”, premtimi i Metës nëse hapen negociatat në 18 Tetor

Presidenti Ilir Meta deklaroi në konferencën për shtyp të së mërkurës se kryeministrin Edi Rama do ta dekorojë nëse Shqipëria merr dritën jeshile për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në datën 18 Tetor.

Kur u pyet nëse ishte xheloz se Rama dhe Basha ishin të sinkronizuar në qëndrimin e tyre se në 18 Tetor Shqipërisë do t’i hapeshin negociatat, Meta u përgjigj: “Që unë të bëhem xheloz për Edi Ramën, këtë nuk e pranon as vetë Edi Rama. Ju i dini kontributet e mia për Edin. Edhe për situatën aktuale më vjen keq, pasi i kam thënë që të më dëgjojë mua sepse sa herë më ka dëgjuar, i ka dalë mirë. Madje, edhe disa diplomatëve u kam thënë “ore, mos ma merrni në qafë Edin ju”. Se i krijoni idenë që e ka mirë Edi, dhe kur ai gabon e pëson edhe Shqipëria. Unë e dekoroj Ramën, vetëm ne të marrim datën 18 tetor. Ai le të mos e pranojë. Urdhërin e Skënderbeut do i jap madje. Unë të jem xheloz se Shqipëria merr miratimin për hapjen e negociatave? Bëhuni gati për dekoratën, madje do t’i jap dy: edhe si kryeministër, edhe si ministër i Jashtëm”.

Kreu i Shtetit shtoi se nuk do të ketë dekoratë për Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin.

“Bashës nuk i jap dekoratë se ka braktisur institucionet. As Monikës sepse i ka dhënë besën Lulit”, tha Meta.

Presidenti shtoi se nuk i druhet shkarkimit: “Do të punojmë së bashku deri më 24 korrik të 2022. Duhet të jeni të sigurt se gjithë ky kuadrat i Presidentit është Shqipëri dhe kuq e zi.  Nuk ka asnjë shans dhe asnjë mundësi që Meta të dalë para datës nga ky institucion. Pasi është betuar se do të mbrojë rendin kushtetues dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Nuk do të doja të hyja në detaje sepse jam i bindur se duke qëndruar në këtë detyrë, Ilir Meta është për një mision historik. Të jeni të sigurtë që unë do ta bëj jo si punë, por këtë punë do ta përmbush si mision historik të padiskutueshëm”.

Shkarkoni aplikacionin e A2