Euro 2020, Duka: Nuk dorëzohemi, për surprizë në Turqi

“Një rezultat të jashtëzakonshëm” e ka konsideruar Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka fitoren e një dite më parë të Kombëtares Shqiptare ndaj Islandës me rezultatin 4-2. Për kreun e FSHF, ky rezultat riktheu atmosferën e munguar në ekip.

“Ekipi luajti shumë mirë. Rezultati ishte i jashtëzakonshëm për të rikthyer, atmosferën, për të rikthyer të gjithë faktorët që mund ta ndihmojnë këtë skuadër për suksesin. E kemi thënë disa herë se nëse të gjithë faktorët janë, skuadra merr energji pozitive dhe arrin rezultatin. Nuk kemi kualitete të jashtëzakonshme, por kemi një skuadër që për ekipin kombëtar jep më shumë se 100% dhe kjo është kryesore”, deklaroi Duka.

Kreu i FSHF, më pas, tha se Kombëtarja ende nuk është dorëzuar në këto eliminatore. Sipas tij kuqezinjtë kanë një ndeshje shumë të vështirë jashtë ndaj Turqisë, e cila nëse fitohet mund të rikthejë ekipin në garë për ndonjë kualifikim të mundshëm.

“Ne duhet të luajmë deri ditën e fundit, grupi është shumë i fortë dhe dy vendet e para janë nga 15 pikë. Kurrë mos thuaj kurrë, kemi një ndeshje të vështirë në Turqi, por jo të pamundur. Urojmë që të mos kemi asnjë dëmtim, t’i kemi çunat të gjithë në dispozicion, mbase dhe ndonjë prurje të re, ndonjë surprizë dhe të arrijmë rezultat pozitiv atje”, u shpreh Duka.

Shkarkoni aplikacionin e A2