Meta takim me Bashën, pasdite në konferencë për mediat për “Venecian” – A2

Meta takim me Bashën, pasdite në konferencë për mediat për “Venecian”

Presidenti Ilir Meta është takuar këtë të mërkurë me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Takimi është zhvilluar në Presidencë dhe vjen menjëherë pas përfundimit të takimeve të delegacionit të Komisionit të Venecias në Tiranë, i thërritur për të dhënë një mendim mbi shkarkimin e tij. Diskutimi mes të dyve mësohet se ka zgjatur rreth 60 minuta dhe sipas burimeve, Meta dhe Basha kanë folur për 13 tetorin, të dekretuar nga Presidenti si datën e zgjedhjeve vendore, rikthimin e protestave nga ana e opozitës dhe vizitën e delegacionit të Komisionit të Venecias.

Pikërisht në lidhje me këtë të fundit, Presidenti ka njoftuar mbajtjen e një konference për mediat, në orën 17:00. Gjatë takimit që ekspertët patën me Presidentin, mësohet se iu është vënë në dispozicion një dosje voluminoze. Burime thanë për A2 se dosja përmban provat që detyruan kreun e shtetit të shtyjë zgjedhjet e 30 qershorit. 

Përveç Metës, gjatë qëndrimit në Tiranë, delegacioni i Komisionit të Venecias u takua edhe me kreun e Kuvendit, pjesëtarë të shumicës dhe opozitës brenda Parlamentit që janë pjesë e Komisionit Hetimor, si dhe me dy përfaqësues të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Shkarkoni aplikacionin e A2