Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Njësia Speciale në aksion, Lleshaj ndjek stërvitjen

Nga A2 CNN
11 Shtator 2019, 14:08 | Aktualitet

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj vizitoi ambiente ku stërvitet Njësia Speciale e Kërkimit të personave që i janë shmangur drejtësisë. Ai pa nga afër disa veprime stërvitore që po zhvillon njësia prej disa javësh, nga dita e krijimit të saj.

Ministri Lleshaj në fjalën e tij përshëndetëse që mbajti para pjesëtarëve të kësaj njësie tha se rritja e forcës goditëse të Policisë së Shtetit është një garanci për vijimin me sukses të reformës në drejtësi.

“Është shumë e rëndësishme që të përcjellim mesazhin: "Drejtësia mund të vonojë, por kurrë nuk harron”. Ju jeni dëshmia dhe prova, kapaciteti që ne i japim qytetarëve shqiptarë, garancia se drejtësia në Shqipëri nuk do të harrojë askënd që i është shmangur asaj. Kjo Njësi, e cila do të jetë një ndër Njësitë elitë të Policisë Shqiptare, do të jetë pikërisht prova e këtij angazhimi serioz, për të kërkuar kudo që të jetë dhe për të vënë para drejtësisë këdo që ka llogari të hapura me të” deklaroi Lleshaj.

Sipas ministrit të Brendshëm, Policia duhet të ndjekë me ritme të larta zhvillimet që po bëhen në drejtësi, pasi ato kanë nevojë jetike për mbështetjen e saj.

“Reforma në Drejtësi nuk mund të ketë sukses pa pasur një Polici, e cila e zbaton atë. Është shumë e  rëndësishme që Policia të ndjekë me ritmin më të lartë, atë progres të madh që po bëhet në fushën e reformës në drejtësi. Drejtësia ka vlerë vetëm atëherë kur ajo zbatohet në praktikë. Ju jeni krahu që do të mundësoni zbatimin në praktikë të gjitha vendimeve që Drejtësia e re do të marrë në të ardhmen e afërt”, shtoi ministri.

A2 CNN Livestream

Dita jonë