Pezullimi i parlamentit britanik, gjykata skoceze kundër Johnson: Vendim i paligjshëm

Pezullimi i punimeve në Parlamentin e Britanisë së Madhe është i paligjshëm. Vendimi vjen nga Gjykata më e Lartë civile e Skocisë. Një panel me 3 gjykatës pranoi sfidën ligjore të ngritur nga një grup politikanësh kundër lëvizjes së Kryeministrit, Boris Johnson.

Dhoma e Komunëve pezulloi punimet të hënën deri më 14 tetor, një vendim të cilin shumë deputetë e shikojnë si një përpjekje të qeverisë për t’u larguar pa ujdi nga Bashkimi Europian. 

“Ne do të punojmë çdo ditë të këtij pezullimi për të zbatuar ligjin, për të mposhtur Johnson. Zoti kryeministër, ju mund të fshiheni nga parlamenti sa të doni, por kur të ktheheni, ne do të jemi gati për ju”, u shpreh Keir Starmer, zëdhënës i Partisë Laburiste.

Përveç se shtoi zemërimin e opozitës ndaj Johnson, vendimi i gjykatës skoceze nuk ka asnjë efekt tjetër dhe nuk garanton mbajtjen e seancave të tjera parlamentare deri më 14 tetor. Qeveria e drejtuar nga Johnson reagoi për këtë vendim duke thënë se do ta apelojë atë në Gjykatën e Lartë të Londrës.

Ndërkohë, me kushtet aktuale, Britania e Madhe do të largohet nga BE me 31 tetor dhe zhvillimet e fundit shtojnë gjasat që kjo të ndodhë pa ujdi. Megjithatë, Johnson është zotuar të tentojë arritjen e një marrëveshje të re me Brukselin deri më 18 tetor. 

Shkarkoni aplikacionin e A2