Protagonistët e suksesit ndaj Islandës: Gjysma e punës, me Turqinë është si një finale

Shqipëria triumfoi 4-2 ndaj Islandës në eliminatoret e Euro 2020, duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm në Europian.

Pas ndeshjes në “Elbasan Arena”, protagonistët e fitores janë shprehur se ky sukses ishte i domosdoshëm pas humbjes në Francë dhe tashmë vëmendja është e zhvendosur te Turqia, të cilët e vlerësojnë si një finale.

Odise Roshi: Kritikat, nga njëra anë të bëjnë të ndjehesh keq, por të forcojnë më shumë. Por gëzimi më i madh i këtij goli është ndeshja kundër Islandës, pasi ishim ndeshur 4 herë dhe ata kanë fituar 3 herë. Kemi bërë një lojë shumë të mirë dhe dua t’i falënderoj të gjithë. Futbolli ecën me hapa shumë të mëdha dhe duhet të shohim ndeshjen e radhës. Gjërat e mira harrohen shpejt. Kemi ndeshje kundër Turqisë dhe është shumë e fortë. I falënderoj të gjithë tifozët dhe mendoj se i kemi bërë shumë krenar.

Sokol Cikalleshi: Jemi shumë të lumtur pas asaj që ndodhi në Francë dhe nuk është e lehtë të ngrihesh. Ishte e dyfishtë e vështirë të ngriheshim, por fituam me 4 gola që ka ndodhur rrallë më parë. Jemi të lumtur. Kemi bërë gjysmën e punës sot, gjysma tjetër është ndaj Turqisë.

Kastriot Dermaku: Kemi luajtur me zemër, kemi vrapuar deri në minutën e 97-të. Ndoshta në disa momente duhet të ishim treguar më të kujdesshëm.

Berat Gjimshiti: Ka qenë shumë e rëndësishme për skuadrën. Kemi kaluar një kohë të vështirë. Besoj se për moralin, por edhe për kualifikimin pasi kemi shkuar 9 pikë, 3 pikë më pak se të tjerët dhe do të shohim.

Klaus Gjasula: Ishte shumë e rëndësishme për të gjithë ekipin pasi kishin thënë shumë fjalë të këqija pas humbjes me Francën. Për ne ishte shumë e rëndësishme për të fituar besim edhe për ndeshjet e tjera. Kështu jemi duke jetuar akoma në grup dhe tani kemi mundësi të bëjmë një finale të vogël në Turqi për të vazhduar akoma në shpresën e kualifikimit.

Keidi Bare: Ishim shumë agresiv, luajtëm shumë mirë me topin dhe besoj se kjo gjë i bëri dëm kundërshtarit.

Shkarkoni aplikacionin e A2