Venezuela tregon forcën, 150 mijë trupa dhe armatime të rënda në kufi

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro shpalli nisjen e disa manovrave të mëdha ushtarake në kufirin me Kolumbinë, për të mbrojtur sipas tij, sovranitetin e vendit.

Drejtuesit më të lartë të Forcave të Armatosura bënë me dije se mbi 150 mijë trupa kanë filluar të dislokohen në kufi pavarësisht tensioneve në rritje mes Bogotas dhe Karakasit. Gjithashtu për të marrë pjesë në këtë stërvitje të madhe ushtarake janë dislokuar dhe tanke, sisteme antiraketë, avionë luftarakë dhe shumë pajisje të sofistikuara.

Presidenti Maduro, i cili e akuzon Kolumbinë se ka komplotuar përhapjen e një konflikti ushtarak në vendin e tij, i urdhëroi ushtarët të vendosen në të 2200 km e vijës kufitare.

Këto lëvizje të mëdha ushtarake kanë tërhequr dhe vëmendjen e SHBA e cila i druhet një përshkallëzimi të mundshëm të tensioneve mes fqinjëve amerikano-jugorë dhe e ka detyruar Uashingtonin të ofrojë mbështetjen e tij për Kolumbinë.

Zëri kundërshtar kryesor në Venezuelë, Juan Guaido akuzoi drejtpërdrejt presidentin Maduro se po rrit tensionet me Kolumbinë për të tërhequr vëmendjen nga zhvillimet e fundit në vend me mungesën e energjisë dhe emergjencën humanitare.

Shkarkoni aplikacionin e A2