“Vetë kriza është në krizë”, Kikia: Të reformohet sistemi zgjedhor, të zhduken listat e mbyllura

Analisti dhe gazetari Mentor Kikia ishte i ftuar në Ditarin e orës 09:00. Ai u shpreh se në situatën ku ka shkuar vendi zgjidhja është reformimi i sistemit zgjedhor.

“Vetë kriza është në krizë”

“Këtë vjeshtë duket se edhe vetë kriza është në krizë pasi mazhoranca e konsideron një lloj normaliteti situatën në të cilën jemi. Kryetarët e bashkive kanë marrë detyrat dhe çdo mëngjesin nxjerrin punonjësit e administratës të mbledhin letra nëpër rrugë dhe postojnë foto në rrjetet sociale për të treguar që administrata është duke punuar. Në anën tjetër, pasi i provojë të gjitha hierarkitë e protestave, opozita duket sikur është në krizë për të gjetur rrugë të reja për të shkuar drejt realizimit të objektivit të saj. Asnjëra palë nuk është gati të thotë fjalën e fundit. Duket sikur shoqëria është duke u normalizuar me këtë anormalitet dhe ky është një problem më vete”.

Akuzat ndaj kryebashkiakëve

“Opozita është duke bërë rojën për të mos lejuar mazhorancën të shkelë ligjin apo kushtetutën. Arkiva e punës së opozitës është goxha e plotësuar, por derisa nuk njihet institucioni i dorëheqjes do të duhej një zgjidhje më e gjerë. Sot, nëse zgjidhja do të ishte dorëheqja e kryetarit të bashkisë së Vorës, është shumë pak në këto kushte ku jemi. Kemi një problem shumë të madh të pazgjidhur, ndërsa po merremi me kryetarin e bashkisë së Vorës apo atë të Vaut të Dejës”.

Përsëritje të zgjedhjeve vendore?

“Për mua nuk është zgjidhje një përpjekje për të shuar zjarrin që na është ndezur tani. Ky zjarr duhet shfrytëzuar për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për të gjitha këto probleme në mënyrë që ato të mospërsëriten në vazhdim. Një kryetar bashkie duhet të dorëzojë detyrën nëse është në shkelje të ligjit, por ajo që duhet bërë është krijimi dhe ndërmarrja e një reforme të thellë në procesin zgjedhor, heqja e listave të mbyllura. Të çohet pushteti te vota. Shqiptarët në zgjedhje të përgjithshme nuk zgjedhin, ata i zgjedh partia. Kjo krizë e sotme është pasojë e degjenerimit të politikës dhe të demokracisë vit pas viti. Kjo gjë duhet shkatërruar. Në djall negociatat, ne duhet të marrim disa vendime që të hedhim themelet për të ardhmen. Ndërsa ne kërkojmë negociata, po zbrazim vendin nga rinia. Sot qeshim me treçerekun e deputetëve të parlamentit, por ata nuk janë të zgjedhurit tanë, por të zgjedhurit e kryetarëve. Ne sot nuk e dimë se cili është deputeti i zonës time. Kjo gjë duhet të shkatërrohet. Të reformohet sistemi zgjedhor, të krijohet Gjykata Kushtetuese dhe unë mendoj se janë të gjitha kushtet që zgjedhjet vendore të zhbëhen ligjërisht në Gjykatë Kushtetuese dhe vendi të shkojë sa më shpejtë në zgjedhje të parakohshme vendore dhe të përgjithshme. Të gjitha përpjekjet e tjera janë vetëm për të fituar kohë.

“Të zhduken listat e mbyllura”

“Në çdo legjislaturë është bërë një e ashtuquajtur reformë zgjedhore, e cila ka konkluduar vetëm në zëvendësimin e kryetarëve të KQZ apo të disa procedurave burrokratike që lidhen me votimin, thelbi nuk është prekur dhe ai është sistemi. Të zhduken listat e mbyllura, që i kanë shndërruar kryetarët e partive në drejtorë ekzekutiv të partive, në pronarë. Për shkak të këtyre listave nuk ka demokraci në parti”.

Shkarkoni aplikacionin e A2