Shumë biznese ankohen sot se nuk gjejnë punëtorë. Përfaqësuesit e dy industrive, “call center” dhe ndërtim, sektorët që kanë edhe një numër të lartë të punësuarish tregojnë këtë lloj problematike.
“Konkurrenca është rritur shumë, për fatin e keq ne kërkojmë herë pas herë njerëz që duhet të dinë gjuhë të huaja. Largimi i personave të rinj na ka vënë në vështirësi. Gjithsesi arrijmë t’i mbulojmë nevojat, por na duhen më shumë njerëz me dëshirë për të mësuar në fushën e marketingut digjital”, thotë Blenard Daci, pjesë e industrisë “call center”.
“Gjendja e sektorit nuk është se paraqitet e keqe. Nëse do të pyesni firmat e ndërtimit, me këtë bum që ka është vështirë të gjesh edhe punëtorë”, shprehet Arben Dervishi, pjesë e industrisë së ndërtimit.
Ekspertët e ekonomisë i shohin me shqetësim mospërputhjet e forta mes kërkesës dhe ofertës në tregun e punës. Sipas tyre, të rinjtë po largohen jashtë vendit dhe kjo vendos në vështirë jo vetëm kompanitë, por edhe ekonominë në tërësi. Nga ana tjetër, vetë bizneset bëjnë pak përpjekje për të mbajtur dhe kualifikuar fuqinë punëtore.
“Largimi i forcave të punës është një problematikë që kërkon shumë vëmendje. Një tjetër problematikë është edhe mbajtja e stafit brenda kompanisë. Nuk është vetëm gjetja e talenteve. Shohim se ulja e normës së papunësisë ka ardhur në një cikël në rang botëror, ku krijohen mundësi punësimi. Por nga ana tjetër brezi i ri kërkon ta zgjedhë ai punëdhënësin. Kjo kërkon që kompanitë të ndryshojnë mendësinë dhe mënyrën se si menaxhojnë stafin”, thotë Roden Pajaj, drejtor i burimeve njerëzore në “Deloitte”.
“Ende për të rinjtë është një problem gjetja e vendit të punës. Me mundësitë që iu ofron Europa, shumë të rinj e shohim më të lehtë që të largohen nga vendi”, u shpreh Ilir Ciko në studion e A2 Business. (A2 Televizion)