Gratë që sfidojnë paragjykimet në Arabinë Saudite – A2

Gratë që sfidojnë paragjykimet në Arabinë Saudite

Disa gra rebele kanë filluar të heqin burkën kur dalin nga shtëpitë e tyre në Arabinë Saudite, edhe pse kjo është e detyrueshme, në një lëvizje që po komentohet së tepërmi si presion për ndryshime sociale.

Mbulesa totale e femrës në Arabinë Saudite shihet si detyrim, por vitin e kaluar, Princi i Kurorës Mohammed bin Salman tha në një intervistë për televizionin amerikan CBS se ajo nuk ishte detyrim fetar në islam.

AFP ka ndjekur njërën prej këtyre grave të guximshme, Mashael al-Jaloud, e cila befasoi të gjithë javën e kaluar kur hyri në një qendër tregtare në Riad me një veshje krejt të ndryshme nga ato të femrave të tjera. 33-vjeçarja kishte zgjedhur pantallona dhe xhaketë, gjithsesi duke ruajtur modestinë.  Reagimet kanë qenë nga më të ndryshmet, nga shikimet “hetuese” nga koka te këmbët e deri te një rast ku një grua e mbuluar tërësisht kishte kërcënuar të merrte policinë në telefon.

Edhe 25-vjeçarja Manahel al-Otaibi, aktiviste e të drejtave të femrave, ka zgjedhur të thyejë këtë traditë. “Jetoj prej katër muajsh në Riad pa mbulesë”, thotë ajo. “Askush nuk duhet të më detyrojë të vesh diçka që nuk dua”.

Shkarkoni aplikacionin e A2