Koncesionet, Basha-deputetëve: Votoni sot, nesër do t’ju ndjekim këmba-këmbës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka paralajmëruar deputetët e Kuvendit që rrëzimi i dekreteve të Presidentit Meta për të rishikuar ligjet e koncesioneve të rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum Dukat, do t’i bëjë ata subjekt të ligjit Antimafia.

“Dekreti i Presidentit të Republikës për kthimin e këtyre dy kontratave korruptive, po bëhet gati të hidhet poshtë nga parlamenti i dalë si pasojë e vjedhjes së votave. Vetëm një Parlament skllav i krimit dhe oligarkëve mund të votojë dy ligje të tilla. Kjo është vjedhje me ligj. Ndaj dua të paralajmëroj sot çdo anëtar që ngre dorën për të votuar këtë ligj, se nesër do të jetë subjekt i ligjit Antimafia. Sot po ju mbajmë shënim emrat, nesër do t’ju ndjekim këmba-këmbës. Çdo pronë dhe pasuri e juaj do të jetë në lutën e SPAK-ut”, tha Basha.

Ai shtoi se për rrugën Milot-Balldren, kosto e rrugës ka arritur në 17 milionë euro për kilometër. “Në buxhetin e vitit 2018, ky projekt u parashikuara me vlerën 118 milionë euro, më pas tenderi u hap me 161 milionë euro. 216 milionë euro, që bashkë me TVSH shkojnë në 256 milionë euro. Por vlera e llogaritur shkon në 259 milionë euro, që konfirmohet nga kontrata. Fryhen disa herë kostot e ndërtimit të rrugëve dhe të gjitha kostot shtesë i merr Edi Rama dhe zyrtarët e korruptuar”, shtoi Basha.

Kreu i PD tha se bashkëpunimi me krimin dhe fuqizimi i këtij të fundit duke kapur ekonominë, politikën dhe zgjedhjet, mbetet kërcënimi kryesor për integrimin europian të Shqipërisë, duke nisur me hapjen e negociatave. “Për mua, PD dhe opozitën, nuk ka gjë më të rëndësishme se zhdukja e ndikimit dhe pasojave të grabitjes kriminale përmes këtyre politikave”, tha Basha.

Shkarkoni aplikacionin e A2