Marrëveshje politike? Shano: Do të humbte PD, Basha dhe shqiptarët

Për opinionistin Dritan Shano çdo marrëveshje e mundshme politike mes palëve në këtë situatë do të ishte një humbje për Partinë Demokratike, Lulzim Bashën dhe të gjithë shqiptarët.

I ftuar në Ditarin e orës 09:00, Shano u shpreh se vendi ka nevojë për një mentalitet të ri dhe sipas tij, ai i PD dhe Lulzim Basha është i duhuri.

“PD u qëndron kërkesave të saj”

“Ju them me siguri se PD vazhdon të ruajë të njëjtat kërkesa që kishte qëkur filloi protestat. Nuk vërej të njëjtën koshjencë nga mazhoranca, pasi unë nuk shoh që të ketë një reflektim në sjelljen e lidershipit të saj. Ndërkombëtarët po marrin njohje më të thellë, ndërsa deri pak kohë më parë e kishin braktisur Shqipërinë”.

“Duhet të ndryshojmë mentalitet”

“Unë mendoj se kriza politike në Shqipëri duhet shkulur. Ne kemi nevojë për një mentalitet të ri. Një mentalitet që nuk e shikon politikën si pushtet sepse ne nuk kemi shtet. Ne duhet të ndryshojmë tërësisht mentalitetin. Unë dua t’u bëj një apel të gjithë shqiptarëve. Zgjidhja nuk është një zgjidhje teknologjike, që lash një celular dhe mora një më të ri. Kërkohet një kontribut i madh nga çdo qytetar. Truri i shqiptarit sot është bërë rob i atyre që vendosin titrat. Kërkohet një kontribut i të gjithëve. Unë mund të them se mentaliteti që ka adoptuar PD dhe Lulzim Basha është ai i duhuri. Gjithë elita e deri sotme ka ezauruar çdo mundësi për të bërë diçka të mirë për këtë vend. Shqipëria është përplasur fortë që nga 1995, kur ishte gati të hynte në BE. Që prej asaj kohe e deri më sot situata nuk është përmirësuar, por është përkeqësuar. Performanca e këtyre bajlozëve politikë ka krijuar këtë Shqipëri që është sot, e cila nuk është krijuar për një minutë, një muaj apo një vit, por është e akumuluar”.

Bazament real për një marrëveshje të mundshme?

“Unë uroj që jo. Ne jemi një vend që ka nevojë për një zhvillim kulturor sa i përket demokracisë sepse nuk e kemi përjetuar siç duhet. Ne kemi liderin dhe i shkojmë nga pas, por kjo duhet të ndryshojë. Sa herë ka të tilla marrëveshje fiton partia që trashëgon një pjesë të madhe të këtij mentaliteti që kemi ne, që është punist. Në çdo marrëveshje do të humbte PD, Basha dhe të gjithë shqiptarët”.

Shkarkoni aplikacionin e A2