Mbi 600 mijë katalanas protestojnë sërish kundër Spanjës,“partitë të na çojnë drejt pavarësisë”

Katalonja zbret sërish në shesh, dhe i kërkon partive që i përfaqësojnë të bashkohen me objektiv pavarësinë nga Spanja.

Nuk e kanë harruar ëndrrën e tyre, banorët e Barcelonës dhe të rrethinave të saj,  që për të nëntin vit radhazi kanë protestuar dje në bulevardet e famshme të qytetit bregdetar, deri në sheshin që për ironi të madhe i kushtohet Spanjës.

Janë rreth 600 mijë të pranishmit në Diada, ceremoninë që përkujton rënien e qytetit në dominimin spanjoll, në 1714. Një shifër e frikshme, por gjithsesi më e pakët sesa vitet e kaluara, ku më shumë se një milion persona gjendeshin po në të njëjtin vend.

Shumë aktorë politikë janë të frikësuar nga fakti që pjesa më e madhe e lidershipit të partive që kërkojnë pavarësinë janë arrestuar dhe ndodhen ende në qeli, 2 vjet pas deklaratës së pavarësisë të vjeshtës së vitit 2017 nga kreu i atëhershëm i ekzekutivit katalanas, Carles Puigdemont.

Një datë që mund të ndezë sërish tensione do të vij pas pak javësh, kur liderët në qeli do të mësojnë verdiktin e gjyqit ndaj tyre, dhe janë të shumtë që mendojnë se dënimet do të jenë të ashpra, aty ku prokuroria ka kërkuar deri në 25 vite burg.  

Në atë moment priten reagime të ashpra, aq sa presidenti i autonomisë lokale Quim Torra ka folur për një përshkallëzim që mund të shkoj deri në “përballje me shtetin”.

Shkarkoni aplikacionin e A2