Operacion policor në 6 qytete, 57 të arrestuar për trafik droge

57 persona janë arrestuar dhe 8 të tjerë janë shpallur në kërkim, pas një operacioni policor të koduar “LIMIT”, si rezultat i të cilit u shkatërruan 4 grupe kriminale në fushën e narkotikëve. Gjatë operacionit janë sekuestruar kanabis, kokainë, laboratorë për kultivim të bimëve narkotike, fara kanabis, fishekë luftarakë, si dhe janë asgjësuar parcela me bimë narkotike të kultivuara.

“Task Forca Speciale Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FNSH-në, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë për Krime të Rënda, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “LIMIT”, operacion i nisur më parë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me homologët e policisë greke.

Ky operacion u krye në funksion të procedimit penal të regjistruar në vitin 2016, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve “, kryer në bashkëpunim.

Gjatë periudhës së hetimit 2016 – 2019, është shkëmbyer në kohë reale informacion me partnerët tanë nëpërmjet SELEC-ut për aktivitetin kriminal të personave të përfshirë në këto grupe kriminale dhe si rezultat, nga autoritetet policore greke janë arrestuar 34 persona, të cilët ushtronin aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes të narkotikëve.

Policia greke gjatë operacioneve të kryera ka sekuestruar rreth 200 kg kanabis, 3,5 kg kanabis në formë çokollate dhe 1,3 kg kokainë.

Operacioni ka vijuar mëngjesin e sotëm në disa qarqe të vendit, ku u angazhuan rreth 300 forca policore.

Gjatë hetimit u bë e mundur të dokumentohej aktiviteti kriminal edhe i 31 personave të tjerë në Shqipëri, duke u finalizuar me ekzekutimin e masave të sigurisë për 23 prej tyre, ndërsa 8 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Konkretisht u arrestuan shtetasit:

S.N., 40 vjeç, banues në Tiranë; B. Sh., 46 vjeç, banues në Mirditë ; A. P. alias A. B., 38 vjeç, banues në Korçë; E. S., 35 vjeç, banues në Korçë; K. Ç., 34 vjeç, banues në Korçë; Gj.Ç., 63 vjeç, banues në Korçë; B. Z, 55 vjeç, banues në Ersekë; Gj. M., 32 vjeç banues në Korçë; R. T., 32 vjeç, banues në Ersekë; E. H., 33 vjeç, banues në Korçë; E. M., 26 vjeç, banues në Korçë; F. Ç. alias f. B., 35 vjeç, banues në Pogradec; E.B., 42 vjeç, banues në Tepelenë; E.H., 34 vjeç, banues në Fier;  A. B., 25 vjeç, banues në Tepelenë; V. B., 33 vjeç, banues në Tepelenë; F.D., 56 vjeç, banues në Tepelenë; A. M., 35 vjeç, banues në Këlcyrë; B. V., 33 vjeç, banues në Sarandë; A. C., 50 vjeç, banues në Durrës; E. K., 37 vjeç, banues në Durrës; E. J., 38 vjeç, banues në Ersekë dhe B. Z., 27 vjeç, banues në Ersekë.

Si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas ku vijon operacioni për kapjen e tyre.

Këtyre grupeve kriminale së fundmi i është sekuestruar rreth 120 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, 4 kg kanabis në formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara kanabis,  një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndriçim artificial, telefona celularë dhe disa automjete.

Aktiviteti kriminal i këtyre grupeve realizohej duke siguruar fara të bimës narkotike kanabis në Holandë, të cilat kalonin transit fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Shqipëri, ku dhe kultivoheshin.

Lënda narkotike kanabis e prodhuar trafikohej në Greqi, Turqi dhe në vende të tjera të BE-së, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë.

Gjithashtu këto grupe kriminale organizonin dhe mundësonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët vinin nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në drejtim të Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Europian”

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve”,  “Kultivimi i narkotikëve”, “Mbajta pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Moskallëzimi i krimit”, “Përkrahja e autorit të krimit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Shkarkoni aplikacionin e A2