Operacioni “Yellowhammer”: Britania s’është gati për Brexit pa ujdi, parashikohet kaos

Qeveria britanike pranon skenarët apokaliptik në rast të një Brexiti pa ujdi. Kompanitë dhe qytetarët nuk janë gati për një divorc pa marrëveshje nga Bashkimi Europian dhe një largim i tillë mund të përgjysmojë vetëm në një ditë numrin e kamionëve që kalojnë Kanalin Anglez në drejtim të Mbretërisë së Bashkuar për shkak të rikthimit të pengesave kufitare.

Konfirmimi vjen nga ekzekutivi i Londrës me anë të një dokumenti të publikuar së fundmi, i cili pohon se përgatitja e qytetarëve dhe bizneseve do të mbetet në një nivel shumë të ulët deri më 31 tetor, datë kur vendi largohet zyrtarisht nga BE.

Pas shumë kërkesave, qeveria britanike u detyrua të zbulonte operacionin “Yellowhammer”, planin e emergjencës për Brexit pa marrëveshje të përpiluar me 2 gusht. Ekzekutivi i drejtuar nga kryeministri Boris Johnson, parashikon rritje të menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore, të karburantit, probleme me furnizimin me ilaçe dhe trazira publike e tensione mes qytetarëve.

“Qeveria nuk do të jetë në gjendje t’i paraprijë plotësisht impaktit të mundshëm në zinxhirin e furnizimit ushqimor. Ekziston rreziku që blerjet në gjendje paniku të shkaktojnë ose përkeqësojnë ndërprerjen e furnizimit ushqimor”.

Sipas dokumentit, parashikohen ndërprerje të shërbimeve të ndryshme financiare ndërkufitare si dhe ndalim të shkëmbimit të të dhënave mes Britanisë së Madhe dhe BE-së. Probleme të mëdha pritet të pësojnë dhe mënyrat e transportit të udhëtarëve, me shtyrje dhe anulime fluturimesh e linja treni dhe autobusësh. 

Shkarkoni aplikacionin e A2