Politika kujton Azem Hajdarin, Basha: Krimi vazhdon të ketë mbrojtje shtetërore

Politika ka përkujtuar ditën e enjte 21-vjetorin e vrasjes së “Heroit të Demokracisë” Azem Hajdari. Ceremoni në nder të figurës së Azem Hajdari u mbajtën nga Kuvendi, Presidenca dhe Partia Demokratike. Homazhet nisën në “Varrezat e Dëshmorëve”, në një ceremoni të organizuar nga Kuvendi ku ishte e pranishme dhe deputetja demokrate Rudina Hajdari.  Në këtë ceremoni morën pjesë dhe Mimi Kodheli, Vasilika Hysi, Ervin Bushati dhe përfaqësues të opozitës parlamentare.

Ky institucion njoftoi se me organizimin e ceremonisë u mor vetë kryeparlamentari Gramoz Ruçi, ndërsa homazhet u drejtuan nga nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi

Partia Demokratike kishte organizuar një aktivitet për të nderuar Azem Hajdarin në memorialin e ngritur në vendin ku u vra “Heroi i Demokracisë”. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm kreu i PD, Lulzim Basha, ish kryeministri Berisha, familjarë, deputetë, mbështetës të opozitës dhe ish studentë të Lëvizjes së Dhjetorit.

Gjatë fjalës së tij, kreu i PD, Lulzim Basha solli edhe njëherë në vëmendje se ishte krimi në pushtet ai që vrau Azem Hajdarin. Sipas liderit të demokratëve krimi vazhdon të ketë mbrojtje dhe poste shtetëror. Lulzim Basha deklaroi se dita e sotme është një thirrje për bashkim e të gjithë atyre që nuk mund ta pranojnë politikën të lidhur me krimin.

“Krimi vazhdon të ketë uniformën, mbrojtjen dhe postet shtetërore. Shqiptarët vazhdojnë të jenë të papunë dhe të kërkojnë shpëtim rrugëve të botës për shkak të një pushteti që nuk burgon nga vota, por që buron nga krimi dhe korrupsioni.

E sotmja është po kështu edhe një thirrje për bashkim, mes gjithë shqiptarëve të ndershëm, opozitarëve dhe socialistëve të ndershëm që kurrë nuk mund ta pranojnë politikën e lidhur me krimin, për t’u bërë bashkë dhe për të hapur rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa”, u shpreh kreu i PD, Basha.

Kësaj ceremonie përkujtimore iu bashkua dhe deputetja Rudina Hajdari, e cila më parë kishte qenë në homazhet e zhvilluara nga Kuvendi. Më pas drejtuesit e PD vendosën kurora me lule dhe në varrin e Azem Hajdarit në “Varrezat e Dëshmorëve”.

Më herët në memorialin e Azem Hajdarit vendosi një buqetë me lule dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Kreu i Shtetit vlerësoi udhëheqjen e Hajdarit në Lëvizjen Studentore, e cila sipas tij solli pluralizmin politik në Shqipëri.

“Sot ishte një detyrim për ta nisur ditën me nderimin e kujtimit të Azem Hajdarit, liderit të Lëvizjes Studentore që solli pluralizmit politik në Shqipëri. 12 dhjetori është dita më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë që ndan dy epoka dhe që e rivendosi vendin në rrugën e duhur të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut dhe të pluralizmit politik dhe zgjedhjeve të lira që janë kolona e çdo sistemi demokratik dhe që duhen mbrojtur nga të gjithë dhe me çdo çmim”, deklaroi Ilir Meta.

Azem Hajdari u vra me armë zjarri mbrëmjen e 12 shtatorit 1998 para ish selisë së Partisë Demokratike.

Shkarkoni aplikacionin e A2