Procesi i vetting-ut, Calavera: Shpejt kalojmë kandidatët për Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese

Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera, tha nga Podgorica në mikrofonin e A2 CNN, se procesi i vetting-ut po ecën në drejtimin e duhur. “Unë mendoj se vetting-u po ecën në rrugën e duhur. Tashmë kemi kaluar në vetting 200 gjyqtarë dhe prokurorë. Ka qenë një proces transparent që është transmetuar nga televizionet dhe ka qenë i hapur, që të gjithë qytetarët e Shqipërisë të kuptonin si po ecte procesi. Ende kemi shumë punë për të bërë, pasi jemi ende në fazat fillestare të procesit. Por deri tani jemi në drejtimin e duhur dhe është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të vazhdojë ta mbështesë këtë proces që është thelbësor për të gjithë reformën në drejtësi”.

Ajo pohoi se së shpejti pritet të mbyllet edhe procesi për kandidatët që duan të jenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, gjë që do të plotësonte vakancat në këto institucione, për t’iu kthyer normalitetit. “Mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë është rezultat i situatës jo të mirë që ishte në drejtësi. Shpresojmë që në muajt e ardhshëm të ketë përfunduar vetting-u për kandidatët që të plotësohen edhe këto institucione, në mënyrë që t’i kthehemi normalitetit”, shtoi Calavera.

E pyetur për vendimin e shumëpritur të tetorit, për çeljen e negociatave mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, Calavera tha: “Komisioni Europian do të shkojë me një qëllim të qartë para këshillit të BE, që koha ka ardhur për Hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të vijojë të plotësojë të gjitha kushtet dhe të krijojë besueshmëri te vendet e Bashkimit Europian”.

Sa për krizën politike dhe “luftën” institucionale mes Qeverisë dhe Presidencës, shefja e ONM shtoi: “Është shumë e rëndësishme që kjo situatë në Shqipëri duhet të kapërcehet pasi nuk i shërben aspak vendit dhe qytetarëve”.

Shkarkoni aplikacionin e A2